Kuvendi i Kosovës (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Në Mungesë të Kuorumit, Nuk Ratifikohen Anëtarët e Bordit të Akreditimit

Në mungesë të kuorumit, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ratifikuan anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Ky institucion qe shtatë muaj është jashtë funksionit pasi që me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte shkarkuar bordin që kryesohej nga Blerim Rexha.

Në Kuvend ishin 48 deputetë, ku prej tyre 45 votuan pro ratifikimit ndërsa 3 të tjerë abstenuan, ndërsa nuk pati asnjë kundër.

“Janë 48 deputetë, 45 votuan për ndërsa 3 abstenuan. Nuk ka kuorum për votim andaj vazhdojmë me pikën e rendit tjetër të ditës”, tha nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili po udhëhiqte seancën plenare.

Para se të hidhej në votim, ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi kërkoi të ratifikohen anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë pasi që sipas tij në këtë proces ka pasur transparencë.

“Tani kemi listën e plotë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Sot po kërkoj mbështetjen tuaj për ratifikimin e listës së ngushtë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë”, tha ministri Bytyqi.

Ai tregoi se në këtë proces kanë aplikuar 35 kandidatë, ku prej tyre 16 kanë hyrë në listën e ngushtë, ndërsa 6 janë zgjedhur nga ai. Bytyqi tha se tre anëtarët ndërkombëtarë janë përzgjedhur nga ambasadat e huaja.

Ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë e ka mbështetur edhe kryetari i Komisionit të Arsimit, Ismajl Kurteshi nga radha e Lëvizjes Vetëvendosje.

Edhe deputetja Teuta Haxhiu tha se kjo listë duhet të ratifikohet ndërsa propozoi që në të ardhmen përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të bëhet me ligj.

KALLXO.com ka raportuar për shkarkimin e bordit të kaluar që udhëhiqej nga Blerim Rexha për shkak se procesi i akreditimit në arsimin e lartë është përcjellë me parregullsi serioze.

Po ashtu KALLXO.com ka raportuar edhe për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditimit nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).