Ndërtimi ‘Gur Pas Guri’ i Fakultetit të Arteve në Pejë

Vitin e kaluar iu nisën themelet, kurse këtë vit pritet të përfundojnë punët e vrazhda në ndërtimin e objektit të ri të Fakultetit të Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Por realizimi i projektit mund të zgjatë me vite në mungesë të mjeteve buxhetore të Universitetit.

Vitin e kaluar ishin ndarë rreth 200 mijë euro, kurse ketë vit janë planifikuar 500 mijë euro tjera për realizimin e punimeve në ndërtimin e objektit, i cili pritet të kushtojë rreth 3 milionë.

Rektori i Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, Fadil Millaku, tha për KALLXO.com se ditët në vijim priten të hapen proceduara e tenderim për fazën e dytë të punimeve për objektin e Fakultetit të Arteve.

Mirëpo ai tha se mjetet buxhetore që ka në dispozicion universiteti janë të pamjaftueshme që projekti të realizohet me kohë.

“Me këto mjete që i kemi do përfundon pjesa e vrazhdë, e mandej do të shohim nëse mundemi me gjet ndonjë investitor ose qeveria me investu në atë pjesën tjerë”, tha Millaku për KALLXO.com.

Kurdo që të realizohet projekti, rektori thotë se ky objekt do të ofrojë kushte më të mira për studentët.

“(Do të ketë) salla të leximit, sallë ku do të mbahen koncerte të ndryshme, ku do të ushtrojnë studentët instrumente të ndryshme. Besoj që do të ketë edhe salla që do përgatiten pjesë për teatër, regji edhe film”, tha rektori Millaku.

Objekti i Fakultetit të Arteve i përket projektit të kampusit universitar që pritet të realizohet në Universitetin “Haxhi Zeka”.

Vlera e projektit në përgjithësi, sipas rektorit, kushton deri në 35 milionë euro.