Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ndërpritet Gjykimi për Kompensimin Milionësh rreth Aksidentit

Gjykata Themelore në Pejë ka ndërprerë gjykimin në të cilin Nushe Loxhaj-Bicaj kërkon 1 milion euro kompensim nga kompania e sigurimeve Kosova e Re për shkak të aksidentit nga i cili mbeti e paralizuar.

Nushe Loxhaj-Bicaj ka mbetur e paralizuar në aksidentin e 27 janarit 2016, ndërsa deri tash “Kosova e Re” i ka paguar asaj vetëm 1500 euro.

Ndërprerja e gjykimit është bërë ngase kanë nisur hetimet ndaj Xhavit Bicajt, bashkëshortit të Nushe Loxhaj-Bicajt nën dyshimet për disa vepra penale.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë njoftimin mbi fillimin e hetimeve i cil i është drejtuar gjykatës së çështjes për ndërprerjen e procedurës civile deri në përfundimin e procedurës hetimore.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pranë stacionit Policor në Prishtinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore kundër paditësit Xhavit Bicaj, si i dyshuar, meqë për të njëjtin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale: falsifikimi i dokumentit zyrtar, ushtrimi i ndikimit dhe legalizimi i përmbajtjes së rreme”, shkruhet në njoftim.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me përfaqësuesin e “Kosova e Re” Jeton Berisha, por i njëjti nuk ka dashur të deklarohet në këtë fazë të hetimeve, me arsyetimin se mund të ndikojë negativisht.

Ndërkaq, Xhavit Bicaj, ndaj të cilit janë ndërmarrë veprime hetimore, tha se ndërprerja e seancës është bërë me qëllim të prolongimit të gjykimit.

“Unë konsideroj që ndërprerja e gjykimit është bërë pa bazë juridike. Qëllimi i ‘Kosova e Re’ është prolongimi i gjykimit përmes një padie që nuk ka asnjë bazë juridike”, tha Xhavit Bicaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe përfaqësuesin e familjes Bicaj, avokati Besnik Nikçi, i cili tha se ekzistojnë disa përpjekje për ndërprerje te procedurës nga “Kosova e Re” për zvarritje tyë procesit gjyqësor.

“Ky pretendim i tyre nuk hasi ne mirëkuptim te gjykatës me shpjegim të qartë se procedura civile nuk është e kushtëzuar me procedimin penal. Megjithatë, gjykata lidhur me çështjen e përgjegjësisë për dëmin, e trajtoi edhe me një ekspertize tjetër nga lëmia e trafikut, përkundër prezantimi te një ekspertize te tillë nga shkresat penale – me ç’rast me te dyja ekspertizat rezultoi përgjegjësia ekskluzive e të siguruarit te ‘Kosova e Re’”, tha Nikçi.

Më tutje, Nikçi tha se manovrimi i radhës ishte kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit, e cila prolongoi procedimin deri sa lidhur me këtë çështje ka vendosur kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë. I njëjti e refuzoi si të pabazë këtë kërkesë të siguruesit Kosova e Re.

Sipas Nikçit, familja e të dëmtuarës ka shpenzime të mëdha mujore për shkak të aksidentit i cili la të paralizuar Nushe Loxhaj-Bicaj.

“Përderisa kemi te bëjmë me shpenzime enorme materiale për familjen që tejkalojnë shumën prej 6.000 eurove ne muaj (shërbimet e mjekësisë intensive, medikamente, ndihma e personit te trete për 24 h…, servisimi i aparateve mjekësore, etj…)  ndërsa shpenzimet e trajtimit mjekësor stacionar te arritura kalojnë shumën prej 60.000 eurove, Kosova e Re ka paguar paradhënie prej vetëm 1.500,00 euro”, tha Nikçi.

KALLXO.com ka raportuar edhe për seancën ku Nushe Loxhaj-Bicaj ka kërkuar 1 milion euro kompensim nga kompania e sigurimeve “Kosova e Re” për dëmin në aksident.

http://kallxo.com/kerkon-1-milion-euro-kompensim-per-demin-ne-aksident/