Mustafa Shpreson për Parakalim të Ushtrisë në 2018-ën

Kryeministri Mustafa pas vendosjes së buqetave me lule te shtatorja e Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës foli edhe për mungesën e parakalimit të FSK-së nesër në nëntëvjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Mustafa deklaroi se pret që sot një vit të parakalojnë Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Sivjet jemi marrë vesh që organizimi të jetë kështu, e për vitin e ardhshëm që është vit jubilar, prandaj përqendrimi i organizimit më të gjerë do të jetë atë vit, por edhe prezencës më të madhe. Shpresojmë që sot një vit do festojmë së bashku me një FSK të transformuar në Forca të Armatosura,” tha Mustafa.

KALLXO.com shkroi dje se FSK-ja nuk do të parakalojë me 17 shkurt në sheshet e kryeqytetit.

http://kallxo.com/fsk-prish-traditen-nuk-parakalon-17-shkurt/

Mustafa përveç vendosjes së luleve te shtatorja e ish-Presidentit Ibrahim Rugova, bëri homazhe edhe te varri i tij në “Velani”.

Para se të vendosnin buqeta lulesh te shtatorja e Presidentit, kabineti qeveritar mbajti mbledhjen e tij.

Aty u miratuan aranzhimet lidhur me finalizimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lëvizje të lirë.

Ministrja e Dialogut  Edita Tahiri tha se me këtë marrëveshje vendoset reciprociteti në lidhje me tabelat e makinave.

“Rëndësia e kësaj marrëveshjeje është se përmes saj vendoset reciprociteti i tabelave me shtetin serb. Marrëveshja e ndjek modelin e shteteve Greqi-Maqedoni për shkak të mosnjohjes së shtetësisë. Kjo mundëson heqjen e tabelave ilegale”, ka thënë ministrja Tahiri.

Ajo gjithashtu ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka hapur zyrat e Agjencisë Civile në katër komunat veriore ku qytetarët mund të pajisen me dokumentet e shtetësisë.