Isa Mustafa në Kuvend | Foto: Atdhe Mulla

Mustafa: Matrapazët të Mos Flasin për Rugovizmin

Isa Mustafa, kryeministri në detyrë dhe kreu i LDK-së reagoi sot në Facebook pas deklaratave të mbrëmshme të Astrit Haraqisë e Dardan Gashit.

Haraqija e konsideroi të guximshëm veprimin e mbrëmshëm të Teta Rugovës e cila u takua me Ramush Haradinajn, kandidatin e PAN-it për Kryeministër, ndërsa Dardan Gashi, ish-Ministri i Ambientit thumboi Mustafën në lidhej me deklaratat se nuk do ta mbështesë qeverinë e Koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Mustafa në reagim nuk përmendi emra por kërkoi që “matrapazët të mos flasin në emër të rugovizmit”.

“Do të jetë i mjerë ai shtet, ajo qeveri, ajo parti dhe ajo derë që lejon që dy matrapazë t’ia bëjnë politikat, të kontrabandojnë votat dhe të flasin për rugovizmin dhe rugovistët”, shkroi Mustafa duke kërkuar që qeveria e PAN-it të mos i shitet opinionit “në paketimin e AAK-së dhe të miqve të Ibrahim Rugovës”.

Mustafa më tutje shtroi pyetjen se pse këta që sipas tij po flasin për rugovizmin, nuk po angazhohen që të krijojnë qeverinë e LDK-së.

“Nëse të tillëve u ka mbetur aq shumë për Rugovën dhe rugovizmin e për LDK-në, pse nuk angazhohen që LDK-ja ta themelojë qeverinë”, vijoi postimi i Mustafës.

Kreu i LDK-së kërkoi të ndërpritet fushata ndaj partisë që drejton, të cilën e quajti “Fushatë të ndytë”.

“Nuk e thotë logjika se ata na shpallën mosbesim për të na dhënë tani besim. Se para dy muajve, sipas tyre, ishim më e keqja e këtij vendi e tani u bëmë më të kërkuarit e këtij vendi!?. Boll u manipulua opinioni! Nuk ka nevojë të manipulohet edhe më tutje. Boll u dëmtua LDK-ja nga fushata të ndyta”, shkroi Mustafa.

Ai reagoi edhe dje po nëpërmjet Facebook-ut kur Teuta Rugova u takua me Ramush Haradinajn.