Isa Mustafa - Foto: Atdhe Mulla

Mustafa: LDK Nisi Çkapjen e Shtetit

Në ditën kur Kosova pritet të nënshkruajë marrëveshjen me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit nga e cila do të përfitojë 50 milionë dollarë, kualifikimin e shtetit kosovar për programin e kësaj korporate Mustafa ia atribuoi luftës kundër korrupsionit nga qeveria e drejtuar prej tij.

“Qeveria e kryesuar nga LDK-ja, arriti ta kualifikojë Kosovën për programe të MCC-së, falë përmbushjes së kritereve duke përfshirë luftën kundër korrupsionit të instaluar në të gjitha poret e institucioneve nga dy qeveritë paraprake”, shkroi Mustafa në Facebook.

Programet për Kosovën të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit do të fokusohen në sundim të ligjit dhe efiçencë energjie.

Mustafa më tutje shkroi se LDK-ja nisi shkapjen e shtetit.

“Me gjithë vështirësitë e gjithanshme, LDK arriti të nis çkapjen e shtetit, dha shembull se si qeveriset pa afera dhe korrupsion dhe se si drejtohet zhvillimi ekonomik i bazuar në iniciativën private”, vijoi postimi i Mustafës.

Në gusht të vitit 2015 Gazeta Jeta në Kosovë publikoi lajmin se djemtë e Isa Mustafës kishin fituar tender për servisim të makinave të Kryeministrisë.

Djemtë e Isa Mustafës Fitojnë Tenderë nga Kryeministria

Në dhjetor të vitit të kaluar Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se Kosova ishte përfshirë në programin “Compact” të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, por më pas kishte rënë në një kategori më poshtë, duke u bërë përfituese nga programi “MCC Threshold”, pikërisht ngase korporata kishte konstatuar dështim të Kosovës në luftën kundër korrupsionit.

Korrupsioni ia Humb Kosovës Milionat e Premtuara nga Amerika

Në fund të postimit Mustafa falënderoi Amerikën për ndihmën.

“Përkrahja e Qeverisë së SHBA-së ka domethënie të veçantë për Kosovën. Prandaj, si Kryetar i LDK-së falënderoj qeverinë dhe popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për vendin tim”, thuhet në postimin e Mustafës.