Mungojnë të Akuzuarit-Shtyhet Gjykimi për Fajde

Në gjykimin e 14 të akuzuarve për krim të organizuar, fajde e vepra të tjera të rënda penale, munguan dy të akuzuarit Ekrem Lecaj e Zef Oroshi.

Mbrojtësi i Ekrem Lecajt, avokati Azim Loshi, i tha trupit gjykues se i akuzuari Lecaj e ka prindin në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërsa i akuzuari Zef Oroshi, sipas fletë-kthesës së policisë ka shkuar për shërim jashtë vendit.

Avokati Hazër Susuri për shkak të këtyre mungesave propozoi që Oroshit e Lecajt t’u veçohet procedura.

“Konsideroj se janë plotësuar kushtet ligjore për veçimin e lëndës ndaj dy të akuzuarve të cilët mungojnë sot në shqyrtimin kryesor, ngase kjo lëndë është duke u zhagitur dhe nëse sot nuk veçohet kjo lëndë, atëherë gjykata nuk po vepron në drejtim të ekonomicitetit dhe parimit nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe  kodit të procedurës, që çdo çështje penale duhet të kryhet në një kohë sa më të shkurtër të mundur”, tha Susuri.

Propozimin e avokatit Susuri e përkrahën edhe avokatët tjerë. Avokati Skender Musa kërkoi që të akuzuarit Tunë qira t’i ndërpritet paraburgimi.

“Duke pasë parasysh gjendjen e tij shëndetësore dhe kohën e qëndrimit në paraburgim si dhe zvarritjen e procesit gjyqësor, ju kisha lutë juve si trup gjykues, por edhe Prokurorinë Speciale që ta shqyrtoni seriozisht çështjen e zëvendësimit të masës së paraburgimit me ndonjë masë më të lehtë, apo me masën e arrestit shtëpiak”, tha Musa.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Binaj- Rugova kundërshtoi propozimet për veçim procedure dhe lirim të Tunë Kqirës nga paraburgimi.

Prokurorja tha se në këtë fazë të procedurës Kqira nëse lirohet nga paraburgimi mund të ndikojë në dëshmitarët që ende nuk e kanë dhënë dëshminë në këtë gjykim.

Pasi u tërhoq për këshillim, trupi gjykues vendosi të mos e veçojë procedurën ndaj të akuzuarve që munguan dhe shtyu seancën e sotme gjyqësore.

Gjykata paralajmëroi që për të akuzuarit që mungojnë pa arsye do të kërkojë sjelljen me dhunë.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seancat e kaluara të këtij procesi. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.