Gjykimi për terrorizëm | Foto: KALLXO.com

Mbyllet Gjykimi për Përgatitjen e Sulmit ndaj Lojtarëve të Izraelit

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për përgatitjen e sulmit terrorist në ndeshjen futbollistike Shqipëri – Izrael, trupi gjykues me kërkesën e Prokurores Speciale e mbylli seancën për mediat dhe publikun.

Në seancë pritej të dëgjoheshin dëshmitarët e thirrur nga prokuroria, të cilët janë zyrtarë policorë të Departamentit kundër Terrorizmit. Në dhënien e dëshmisë pritet të përdoren edhe audio dhe video incizime.

Prokuroria Speciale i kërkoi trupit gjykues që të mbyllet tërësisht ky shqyrtim gjyqësor me arsyetimin se dhënia e dëshmisë së këtyre zyrtarëve dhe transmetimi i tyre mund të paraqesë rrezik për këta zyrtarë në ushtrimin e funksionit të tyre.

Mbrojtësit e të akuzuarve kundërshtuan këtë kërkesë me arsyetimin se po shkelet e drejta kushtetuese e të pandehurve për shqyrtim publik.

Pas tërheqjes për konsultim, kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, njoftoi për aktvendimin e gjykatës për të pranuar kërkesën e prokurorisë për të mbyllur shqyrtimin gjyqësor për media.

Megjithatë, lejoi që monitoruesit të cilët kanë autorizim dhe marrëveshje me Këshillin Gjyqësor të Kosovës të qëndrojnë në seancë por pa të drejtën për të publikuar apo incizuar përmbajtjen e dëshmive të dhëna.

Arsyetimi i trupit gjykues ishte se dhënia e këtyre dëshmive dhe video incizimeve të cilat mund të shpërndahen më pastaj, paraqet rrezik për dëshmitarët.

Megjithatë, gjyqtari Ibrahimi njoftoi publikun dhe mediat që ky aktvendim vlen vetëm për dhënien e dëshmisë për këta zyrtarë.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti,Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se nëpërmjet aplikacionit “Telegram” që supozohet se është i padëgjueshëm nuk mund të përgjohet)me dashje kanë pranuar thirrjen e  Lavdrim Muhaxherit ish-udhëheqësit të shqiptarëve në ISIS për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbollistike për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Arton Ahmeti e Lulzim Gashi akuzohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë, ndërsa Kenan Plakaj për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të  paautorizuar të materieve plasëse.

Për armëmbajtje pa leje ngarkohen Leotrim Musliu dhe Besart Peci.