Shpend Maxhuni në Komisionin për Punë të Brendshme | Foto: KALLXO.com
Maxhuni: Trenin e Ndalën Krerët Institucionalë
Duke raportuar në Komisionin për Punë të Brendshme rreth situatës së sigurisë në vend, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpennd Maxhuni tha se trenin me simbole serbe e ndalën krerët institucionalë të vendit, pa veçuar ndonjë emër.
“Është bërë e qartë nga Ministria e Punëve të Brendshme se cili ka qenë vendimi për ndalimin e trenit i cili kishte shenja provokuese për shqiptarët. Krerët institucionalë vendorë dhanë urdhrin e ndalimit, ndërsa sa u përket veprimeve policore urdhrat i ka dhënë drejtori i përgjithshëm i policisë”, tha Maxhuni.
Treni me simbole nacionaliste serbe dhe me fjalinë “Kosova është Serbi” të shkruar në disa gjuhë u nis nga Beogradi më 14 janar me qëllimin për të shkuar në Mitrovicën Veriore, por u ndal në Rashkë të Serbisë për t’u kthyer mbrapsht, pasi autoritetet kosovare paralajmëruan ndalimin e tij.
http://kallxo.com/treni-nuk-leviz-nga-rashka/
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Daut Haradinaj pyeti Maxhunin se a mos u largua drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për shkak të mosbashkëpunimit mes AKI-së e policisë.
Maxhuni u përgjigj shkurt se bashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve është shumë i mirë.
Shefi i AKI-së Agron Selimaj dha dorëheqje më 27 janar 2017 me arsyetimin se dëshiron t’i përkushtohet familjes.
http://kallxo.com/doreheqja-e-agron-selimajt-per-te-nisur-kapitull-te-ri/