Konferenca për Malin e Zi në NATO | Foto: KALLXO.com

Mali i Zi në NATO Stabilizim për Rajonin

Në konferencën e Shoqatës së Malazezëve të Kosovës u tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është hap në drejtim të duhur.

Shoqata e Malazezëve të Kosovës organizoi sot një konferencë në të cilën u diskutua për NATO-n në Ballkan dhe ndikimin që anëtarësimi i Malit të Zi në këtë aleancë ka në sigurinë e rajonit.

NDËRLIDHUR

Sllobodan Vujiçiq, kryetar i kësaj shoqate, tha se hyrja e Malit të Zi në NATO do ta stabilizojë rajonin.

Kreu i organizatës Fridrif Ebert Stiftung në Kosovë Wulf Lapins tha se NATO-ja dh BE-ja e kanë mision të qartë integrimin e shteteve ballkanike në to, por për këtë duhet plotësuar kriteret.

Ai tha se Mali i Zi do të jetë pjesë e NATO-s, por shtetet tjera të Ballkanit sipas tij ende nuk janë të gatshme për të qenë pjesë e aleancës.

“Maqedonia nuk mund të bëhet anëtare e NATO-s përderisa nuk i ka të zgjidhura problemet në raport me Athinën, po ashtu Kosova ka probleme të shumta të cilat duhet t’i zgjidhë me shtetet fqinje si dhe duhet të punoj më tepër në njohjet nga shtetet e tjera”, tha Wulf Lapins.

Ai më tutje foli edhe për anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO, por deklaroi se ky shtet është i papërgjegjshëm në raport me detyrat dhe përgjegjësitë që i kërkohen nga Aleanca Veriatlantike.

“Serbia është e interesuar për anëtarësimin, mirëpo ajo është e papërgjegjshme në detyrat dhe përgjegjësitë që i kërkohen nga NATO. Misioni i NATO-s në rajon nuk mund të arrihet pa një reformë të thellë euroatlantike për sa u përket shteteve të Ballkanit ”, tha Lapins.

Në konferencë u tha se anëtarësimin në NATO të Malit të Zi e përkrahin 53 për qind të popullatës së këtij shteti.

Drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, tha se për anëtarësim në NATO, Mali i Zi nuk i ka të domosdoshme përmbushjen e kritereve në aspektin e ratifikimit të kufirit.

Kurse, ekspertja e çështjeve të sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj tha se anëtarësim i Malit të Zi më së miri do e dëshmonte që gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtimin e duhur.

Mali i Zi pritet të bëhet anëtari i 29-të i NATO-s në Samitin e Brukselit të Aleancës Veriatlantike që do të mbahet në fund të majit.

Shqipëria u bë pjesë e NATO-s në vitin 2009.

30 Mars 2017 - 20:08

Shqipdona Gashi 30/03/2017 - 20:08
NDËRVEPRIMI0

Mali i Zi në NATO Stabilizim për Rajonin

by Kallxo
NA NDIQNI