Ndërtesa e Komunës së Suharekës | Foto: KALLXO.com

Lokalet Përreth Shkollës pa Leje Pune

Në aksion i policisë ka zbuluar se lokalet afër shkollave në Suharekë punojnë pa leje pune.

Lajmi është bërë i ditur në një njoftim të Komunës së Suharekës.

Sipas njoftimit, gjatë javës së kaluar policia ka realizuar një aksion në lokalet përreth gjimnazit “Jeta e Re”.

“Janë hasur 252 persona, kryesisht nxënës dhe studentë. Nga këto lokale dy janë gjetur pa leje të punës dhe të pranimit si lokale hoteliere si dhe janë arrestuar 4 persona”, thuhet në komunikatën e komunës.

E njëjta komunikatë citon zëvendëskomandantin e stacionit të policisë Afrim Syla i cili ka raportuar për gjendjen e sigurisë në Komunën e Suharekës.

“Kanë ndodhur 4 aksidente në trafik, 1 vjedhje, 3 sulme, 1 lëndim i lehtë trupor, 2 dëmtime të pronës,  1 keqpërdorim i besimit,1 keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, 1 falsifikim i dokumentit, gjetja e një substance të narkotikut dhe janë gjetur tri armë të ftohta gjatë një bastisje”, citohet Syla.

Rezultatet janë bërë të ditura në takimin e Këshillit Lokal për Siguri të Komunës së Suharekës.