Lista Serbe Vonon Themelimit e FAK-ut

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës duke thënë se nuk është pajtuar që të hiqet nga rendi i ditës pika për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugën krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Ja ku e keni rendin e ditës pika që ka pas të shqyrtohet është e katërta shqyrtimi i propozim amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ishte pajtueshmëri e mazhorancës në përgjithësi që kjo çështje të mos trajtohet ky është një gabim shumë i madh dhe unë mendoj që është një vonesë e qëllimshme”, tha Konjufca.

Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së tha se kanë kërkuar që ligji që parasheh amendamentet kushtetuese të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) të hiqet nga rendi i ditës.

Ai theksoi se për votimin e ligjit për FSK-në nevojitet votim edhe nga minoritetet.

“Realiteti ka të bëjë që ne kemi kërkuar që ndryshimi amendamenteve kushtetuese të hiqet nga rendi i ditës të diskutohet duke respektuar edhe kërkesën e përfaqësuesve të listës serbe, e cila ishte që nuk janë për bllokim të jetës institucionale por kërkuan mirëkuptim që kanë nevojë ta shohin dokumentin dhe të punojmë më tej”, u shpreh Grabovci.

Ismet Beqiri shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) u shpreh se LDK-ja e përkrah ligjin për themelimin e FSK-së.

Ai shtoi se do të vazhdojnë përpjekjet që të arrihet marrëveshja për votimin e dyfishtë, pasi sipas tij, duhen edhe votat e pakicës për themelimin e Forcave të Armatosura.

“Qeveria i ka procedura për këtë seancë Forcat e Armatosura të Kosovës. Duke pasur parasysh se partnerët e koalicionit ende nuk janë marrë vesh me listën serbe, ne me mirëkuptim të përbashkët e shtyjmë për një seancë të radhës”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.