Intervenimet e sotme | Foto: Ministria e Infrastrukturës

Lekaj Zotohet se Bora nuk do ta Befasojë Ministrinë

Në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës, thuhet se pas rënies së borës së parë në Kosovë, rrugët e menaxhuara prej saj janë të kalueshme.

“Të gjitha rrugët që janë nën përgjegjësi të ministrisë janë të kalueshme”, thuhet në njoftim.

Ministria njofton se ku kanë intervenuar kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve.

“Në rrugët kodrinoro -malore është intervenuar, si në akset rrugore Pejë – Kullë, Pejë – Rugovë, Kaçanik – Hani i Elezit (ka pasur rrëshqitje të gurëve të cilët janë pastruar), Brezovicë, Prevallë, Glloboçicë dhe Zhur-Dragash”, vijon njoftimi.

Është reaguar edhe për të larguar drunjtë e rrëzuar nga era në disa rrugë malore,

“Është intervenuar dhe po vazhdon puna në largimin e drunjvë të rrëzuar nga erërat e fuqishme në drejtimet, Dragash-Restelicë, Dragash – Brod dhe Dragash – Zaplluzhë”, thuhet më tutje në njoftim.

Ministria i ka angazhuar të gjithë drejtorët që “të jenë në krye të detyrës dhe bashkë me kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve të mos lejojnë asnjë ‘befasi’”.

Ne terren sipas njoftimit doli edhe ministri Pal Lekaj.

“Rrugët e Kosovës janë të kalueshme. Disa nga to i vizitova personalisht. Bora sjell pastërti, nuk do të lejojmë që të bëhet pengesë për njerëzit.”, tha ministri Lekaj.

KALLXO.com shkroi sot për borën e parë të rënë sivjet në Kosovë.