Albin Kurti në Kuvend - Foto: KALLXO.com

Kurti: E Mbështes Mocionin për Shkarkimin e Rikalos

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i është bashkangjitur mocionit për tu shkarkuar ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalos.

Në interpelancën e kërkuar për akuzat publike ndaj ministrit Rikalo deputeti Kurti tha se ka dëshmi të mjaftueshme që Rikalo të hetohet dhe të shkarkohet nga pozita e tij në Qeveri.

“Unë besoj se është e domosdoshme që të zhvillohen hulumtimet dhe të bëhen hetime, është e padrejtë që janë dënuar shumë pak serbë për krimet në Kosovë. Tash të thuhet se shqiptarët kanë një predispozite me i fajësu krejt serbët, po e përsëris nuk janë krejt shqiptarët njësoj as krejt serbët nuk janë njësoj, atëherë kur mungojnë proceset gjyqësore ka fajësime kolektive, unë jam kundër fajësimeve kolektive por pikërisht na lejoni që të diferencojmë njerëz me emra e mbiemra. Janë 20 dëshmitarë dhe përderisa këta dëshmitarë kanë dalë me emër e mbiemër atëherë ky duhet të shkarkohet. Në e dimë çfarë shteti të dobët kemi, dëshmitarët janë të pambrojtur, janë të rrezikuar. E mbështes mocionin që ai të shkarkohet”, tha Kurti.

Ai po ashtu tha se AKI-ja, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit nëse i kishin thënë kryeministrit Haradinaj që kanë informacione për krimet e Rikalos gjatë luftës do të rrënoheshin këto tri institucione.

“Mësuam se kryeministri i është drejtuar tri institucioneve për të mësuar të vërtetën mbi këto dëshmi. Por e vërteta s’mund të jetë zyrtare por qytetare, nuk mund të jetë shtetërore por popullore. Në rast se fillon e kur të fillojë procesi gjyqësor kundër Rikalos atëherë këto institucione munden me u thirrë në mbrojtje e jo tash. Së dyti paramendoni sikur këto tri institucione AKI, Policia e Kosovës, Prokuroria të thonë se kanë informacione që inkriminojnë z. Rikalo. Kjo do t’i rrënonte ato si institucione”, shtoi ai.

Ai ftoi Rikalon që ta marrë barrën për akuzat ndaj tij.

“Pse barrën e provës për Rikalon ta marrë Qeveria kryeministri dhe këto tri institucione, pse jo Rikalo”, shtoi në fund Kurti.