Nga një seancë e Asamblesë Komunale të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Kukaj: Asambleja të Vendosë për Largimin e Pushtetarëve nga Banesat

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës Egzon Azemi, asamblisti i Vetëvendosjes pyeti çfarë ka ndodhur në lidhje me banesat për raste sociale te të cilat banojnë edhe zyrtarë të LDK-së.

Azemi këto banesa i cilësoi në njëfarë mënyre të uzurpuara.

Drejtori i pronës në Komunën e Prishtinës Dren Kukaj tha se asambleja ua ka ndarë dhe asambleja do të vendosë nëse do t’ua marrë ato banesa.

“Meqë asambleja ua ka ndarë ato banesa në atë kohë besoj që asambleja të vendos prapë për ata persona. Unë nuk do të tregohem arrogant duke e shfrytëzuar pozitën, por unë do të kërkoj votën e asamblistëve të PDK-së dhe LDK-së për shfrytëzuesit e banesave sociale që u janë dhënë pushtetarëve”, tha Kukaj.

Por asamblisti i LDK-së Shefki Gashi tha se këto banesa nuk janë të uzurpuara.

“Kryesues mos lejo të bëhen propaganda këtu. Ato banesa nuk janë të uzurpuara por i ka dhënë kjo asamble. Nëse ato vendime janë të pavlefshme për ata banorë, atëherë të pavlefshme janë edhe ato banesa që u ja ka dhënë Tito. Mos kërkoni vota këtu”, tha Gashi.

Eman Rrahmani, asamblisti tjetër i Vetëvendosjes, shtroi shumë pyetje për çerdhet e premtuara, dy lagje që nuk kanë ujë 24 orë dhe për deponitë ilegale, por mori përgjigje vetëm për njërën prej tyre prej nënkryetarit Selim Pacolli.

“Është e vërtetë që kemi shqetësim për deponi ilegale. Kemi pothuajse në çdo cep të rrugës ku njerëz të pandërgjegjshëm po hedhin materiale të mbetura ndërtimore”, tha Pacolli.

Asamblisti i AKR-së Sami Boroci pyeti se çfarë po ndodhë me taksistët ilegalë që po e pengojnë punën e “Trafikut Urban”.

Drejtori i Inspeksionit Ibrahim Mehmetaj dukurinë e taksive ilegale e cilësoi shqetësuese.

“Është shqetësuese kjo dukuri pas luftës. Janë organizuar 10 aksione të përbashkëta me policinë dhe janë konfiskuar disa vetura. Unë ju njoftoj që kur kam ardhë në zyre i kam pasë mbi 400 lëndë për shkelësit dhe asnjë nuk është përfunduar”, tha Mehmetaj.

Migjen Shala, asamblist i PDK-së kërkoi të dijë pse Komuna e Prishtinës nuk financon shoqatat e dala nga lufta.

“Janë më se 100 banesa dhe 2 parkingje që ju kanë nda kategorisë së shoqatave të dala nga lufta. Unë mendoj që këto parkingje të futën në kuadër të Komunës së Prishtinës, po ashtu varrezat e dëshmorëve, shtabi në Zllash të jenë pjesë e komunës dhe të rregullohen këto çështje”, tha Pacolli.