Kosova pa Citostatikë në Ditën Botërore Kundër Kancerit

Në Ditën Botërore Kundër Kancerit Kosova ka mungesë barnash për luftimin e kësaj sëmundjeje dhe një mamograf mobil që ende nuk del jashtë Prishtinës.

Bordi Kombëtar për Kontrollin e Kancerit të Kosovës na bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paraqitën sot me anë të një raporti qëndrimin e kësaj organizate në lidhje me skreningun e kancerit të gjirit.

Skreningu i gjirit është një mënyrë për të zbuluar kancerin në fazat e hershme të tij. Ai përfshin një skanim me rreze X në secilin gji.

Doktor Sami Uka nga Zyra e OBSh-së, duke prezantuar raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se në të gratë mund të gjejnë informata për përdorimin, përfitimet dhe dëmet nga skreningu me mamografi.

“Qëllimet kryesore të këtij dokumenti janë pajisja e politikbërësve menaxherëve dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor me udhëzime të qarta objektive dhe të pavarura mbi raportin ndërmjet përfitimeve dhe dëmeve nga skreningu me mamografi,” tha Uka.

Edhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadani u pajtua me të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të OBSH-së.

Por Dita Botërore Kundër Kancerit e gjen Kosovën me mungesë të citostatikëve-barnave për trajtimin e kancerit dhe me mamografin i cili po rri në oborrin e Qendrës Klinike Universitare qëllimi i të cilit kur u ble ishte udhëtimi nëpër qendra të ndryshme të Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani pranoi se ka mungesë të citostatikëve por tha se kjo çështje do të rregullohet.

“ Them se shumë shpejt do të stabilizohemi edhe me furnizim me citostatikë për shkak të vonesave që kanë ndodhë për çështje teknike të krijimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe organizatave buxhetore,”  u shpreh ai.

Ndërsa sa i përket mamografit mobil, Ministri tha se që nga 12 Janari ai është ne funksion por  se ende nuk është bërë organizimi i target grupeve nëpër regjione të ndryshme dhe se ai ende është në oborrin e QKUK-së.

“Ende është vetëm në Prishtinë, sepse ne nuk dojmë të bëjmë diçka që nuk do të japë rezultate të duhura, diçka vetëm sa për të ba, por të bëhet diçka ashtu si duhet të bëhet,“ tha ministri Rrahmani.

Në fund u tha se kanceri është njëra ndër sëmundjet me rrezikshmërinë më të lartë për gjithë botën Sipas OBSH-së numri i përllogaritur i rasteve të reja për çdo vjet rritet nga 10 milionë.