Foto: Levizja Vetevendosje

Konjufca ia Kujton Haradinajt Incidentin me Hartë Ndaj Murat Mehës

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, që pritet shumë shpejt të dalë për votim në seancë të Kuvendit të Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ia ka kujtuar kryeministrit Ramush Haradinaj momentin e hedhjes së hartës, ish kryetarit të komisionit shtetëror, Murat Mehës, gjatë një mbledhjeje të një komisioni parlamentar në verë të vitit 2015.

“Ju kujtohet ai rasti kur ia pat hedhë hartën në fytyrë Murat Mehës, e tash problemi është që ai që po mbetet pafytyrë është kryeministri i Kosovës, kurse fatkeqësisht po ngadhënjen vet Murat Meha”, tha Konjufca.

Konjufca tha se ia kishte bërë të ditur Haradinajt se do ta ndryshojë mendjen qysh në kohën kur ai ka bërë koalicion me PDK-në në pranverë të vitit të kaluar.

“Kur u pat krijuar koalicioni AAK- PDK i patëm thënë Ramush Haradinajt që në momentin që bën koalicion me Kadri Veselin, nuk ndryshon Kosova por i ndryshon bindjen e tua dhe kjo doli e vërtetë, pasi që pushteti ia ndërroi bindjet Haradinajt”, tha Konjufca në konferencën për media.

“Nuk ka ndryshuar demarkacioni i Murat Mehës, por ka ndryshuar AAK dhe Nisma”, tha tutje Konjufca.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se liderët e pozitës nuk e kanë për qytetarët e për liberalizim të vizave por e kanë për vete.

Sipas tij, edhe nëse ratifikohet demarkacioni, nuk do të ketë liberalzim të vizave sepse ka edhe kushte tjera.

“A do të thotë kjo se të gjithë në pas 1 jave do të themi se tash suksesshëm u luftua korrupsioni e krimi i organizuar, e tani mund të lëvizni lirshëm. Unë nuk e besoj këtë.  Kjo do të ishte e mundur nëse brenda javës do të arrestoheshin 100 politikanë të korruptuar e bisnezmenë të lidhur me ta dhe fillon e mbaron gjykimi në shkallë të parë e të dytë për ta brenda muajit. Unë nuk besoj në këtë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, nuk ka deputetë të Vetëvendosjes e anëtarë të kësaj partie që mendon ndryshe për demarkacionin, duke aluduar kështu për qëndrimet e deputetëve të dorëhequr të Vetëvendosjes.

Ndërsa Konjufca tha se Vetëvendosje do të përdorë metoda nga mos-votimi i kësaj marrëveshjeje e deri te mos-krijimi i kuorumit për kryesinë e Kuvendit, ndërsa njoftoi se sot në orën 15:00 kryesia e VV-së dhe deputetët e kësaj partie do të takohen për t’i koordinuar për veprimet e radhës.

Seanca për votimin e demarkacionit pritet të mbahet nesër.