Foto: Atdhe Mulla

Koha për një Kapitull të Ri

“Besa, besë, besën ta kam dhanë, për Kosovë jetën du me e dhanë…” kurrë s’më ka shkuar mendja se himnin me të cilin jam rritur e të cilën e këndonim me sa zë kishim, të fshehur e të mbyllur diku, do e dëgjoja një ditë ta këndonte im bir. Plot emocion, dhembje e ironi bashkë m’u përzien derisa e dëgjoja tim bir, gjashtëvjeçar, të këndonte këngën për ‘me vdek për Kosovën’. Nuk ka sesi të mos i kundrosh me përmallim e dhembje sepse ato fjalë më kujtuan fëmijërinë, stinën e jetës në të cilën ne përpara se të mësonim si të jetonim, mësuam si të vdisnim për të jetuar të tjerët.

Do kohë janë të vështira dhe ato të fëmijërisë sonë duket të kenë qenë gjithmonë të tilla. Si një kancer që herë rritej e herë zvogëlohej, por që gjithmonë ish aty, në mesin e kancerit të madh ballkanik. E kemi ndier shumë këtë këngë, sidomos atëherë kur po na zihej fryma dhe që më kot prisnim shpëtim nga dikush, nga shqiptarët përtej kufirit, nga të mëdhenjtë përtej kufijve, e nga çdokush që kish pak mëshirë e shumë fuqi.

Sot, kohët kanë ndryshuar shumë dhe koha e patriotizmit me të cilin merrnin frymë dikur e ka humbur edhe lezetin e kujtimit. Besonim shumë. Ishte ky besim që na mbante të lidhur fort për jetën. Shpresonim shumë për të arritur këtu ku jemi sot, paçka se askush nuk e ka besuar se ajo çfarë kemi ëndërruar do të ishte kësisoj.

Ne qemë fëmijë dhe Kosova atëkohë qe një fëmijë jetim. Kështu së paku na e kanë mësuar në shkollë dhe në librat e historisë. Politika informuese e mësuesve tanë qe e sukseshme. Dhe ne si fëmijë të një bote të re, shumë larg botës e para bombës shpërthyese të viteve të luftës, ndoshta u bëmë të rritur për të shfaqur dhembshurinë dhe mallin për liri me këngën e “faljes së jetës për atdhe” dhe këngë të tjera si kjo. Ndoshta kurrë nuk ditëm si, por të paktën kënduam për atdheun, për lirinë dhe vjershat i shkruam për të.

E besonim sepse i kishim dëgjuar me mijëra herë rrëfimet për Kosovën e madhe, rrëfimet për lirinë. E besonim, sepse derisa dëgjonim rrëfimet, okupuesit që na mbanin mbyllur e të ngujuar na gërryenin përditë e përnatë. Ishte koha kur ne nuk mundnim kurrsesi të kapnim një copë qielli blu e ta vinim në tokë. Prandaj, këngët ‘për besën e dhënë e jetën e falur’ në zërin e Shkurtes apo me zërin tonë, ishin himn i jetës, himn i sakrificës e edhe i shpresës.

Kosova ka kohë që ka hapur kapitullin e ri.

Një shqiponjë, gjashtë yje, dy flamuj, kuq e zi, kaltër e verdh, dy shtete e një komb. Këta jemi sot dhe me këto ngjyra do të kremtojmë sot. Ne kremtojmë dhe magjia e festës së nëntëvjetorit të pavarësisë përzihet me telashet e tmerrshme sociale, politike, ekonomike, arsimore e kulturore. Kremtojmë me më pak shpresë së kurrë, me më pak lumturi dhe me fare pak besim. Një e gjysmë, dy, apo tre milionë sa jemi, një zot e di, por aq sa jemi, po kaq inate kemi. Inate që edhe të flasin shqip, edhe të godasin shqip, edhe të vrasin shqip, edhe të urrejnë shqip, edhe të shkruajnë, të vuajnë, të jetojnë dhe të vdesin shqip. Inate që edhe kur festojnë, festën ta bëjnë shqip.
Koha për një kapitull të ri? Të gjithë kemi ëndërruar një të ardhme tjetër për vete e për fëmijët. Por me gjasë vullneti për një kapitull vërtet të ri akoma nuk ka ardhur.

Fëmijë të epokës së re që këndojnë një këngë të vjetër! Nuk do ta besoja kurrë se im bir do të këndonte për vdekjen. Të këndonte për vdekjen për ta fituar të ardhmen. Nëse neve na është dashur ta bëjmë, ose nëse neve na e kanë vrarë të ardhmen, e ardhmja e tyre do të duhej të ekzistonte. Kushedi çfarë i pret ata? Sa pak kanë ndryshuar gjërat! Sa për historinë e sa për atdhetarinë, për heronjtë e për flamujt e kështu o bir o bir, në këtë nëntëvjetor, ndalet njeriu e mendon se cilën liri e kemi fituar! Atë që i përngjan lirisë, atë që i përngjan lumturisë, atë që i përngjan qetësisë? Sigurisht se jo. Ajo çfarë kemi fituar është liria fizike, të tjerave me gjasë akoma nuk u ka ardhur koha.

Liria e sotme i përngjan arrogancës së ftohtë të liderëve tanë dhe indiferencës së shoqërisë. Ndaj këngët e dikurshme të atdhetarisë, këngët për vdekjen e të ardhmen, të kujtojnë padashur sa shumë kohë ka kaluar e sa pak gjëra kanë ndryshuar. Zëri i tyre është një tjetër zë, zë i ri në një këngë të vjetër, që me më qetësi këndon për një kohë e një besim të vjetër. E megjithatë, e ardhmja së cilës i falen me vdekje në këngë, as për ata, kaq breza më vonë, nuk është e garantuar.

Do të duhej pak vullnet për të ecur përpara, dhe shumë më shumë dashuri për njëri-tjetrin. Gjithsesi, koha për një kapitull të ri dhe koha për liri ndryshe!

Urime njerëzve të Kosovës! Të vërtetëve.