Pjesëtarë të KFOR-it afër një qendre votimi për zgjedhjet presidenciale serbe - Foto: KFOR

KFOR-i Mbështeti Zgjedhjet Serbe në Kosovë

Forca paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë (KFOR) ka njoftuar se ka kontribuar në zhvillimin efektiv të zgjedhjeve serbe në vendet e banuara me popullsi serbe në Kosovë, në mbështetje të OSBE-së dhe ofruesve lokalë të sigurisë.

Derisa prania statike dhe e lëvizshme e KFOR-it ishte e garantuar në afërsi të tetë qendrave më të rëndësishme të mbledhjes së votave të identifikuara nga OSBE-ja, koordinimi me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe OSBE-në ishte i shkëlqyer, njofton kjo forcë përmes një komunikate.

“Në përputhje me mandatin e tij aktual, KFOR-i vazhdon të veprojë në mënyrë të paanshme, me maturi dhe në mënyrë të vendosur për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për gjithë popullin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, sot janë zhvilluar zgjedhjet presidenciale në Serbi, ku në garë ishin 11 kandidatë.

Votime janë mbajtur edhe në lokalitete me komunitet serb të Kosovës.

Mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë e kanë autorizuar institucionet kosovare.