Zyrtarja e KDI-së, Jeta Krasniqi, prezanton rezultatet e hulumtimit për marrëveshjet e Brukselit - Foto: KALLXO.com

KDI: Qytetarët Nuk Besojnë në Suksesin e Marrëveshjeve të Brukselit

Sipas KDI-së, hulumtimi është përqendruar në çështjen e shuarjes së strukturave paralele dhe shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e vendit.

Po ashtu, qytetarët jaë pyetur edhe për integrimin e gjykatave të veriut në sistemin gjyqësor të Kosovës si dhe ndikimi që do të ketë Asociacioni i Komunave më Shumicë Serbe.

Duke i paraqitur rezultatet, zyrtarja e OJQ-së, Jeta Krasniqi, tha se hulumtimi tregon se 58 për qind e qytetarëve besojnë se Marrëveshja për Drejtësi nuk do të jetë e suksesshme.

“Në bazë të këtij sondazhi janë rreth 58 për qind e qytetarëve të Republikës së Kosovës që nuk mendojnë se kjo Marrëveshje do të jetë e suksesshme, pra që nuk mendojnë se gjykatat në veri të Kosovës do të integrohen suksesshëm në sistemin gjyqësor të Kosovës. Ne shohim që janë rreth 28 për qind të qytetarëve që thonë se nuk e dinë dhe janë rreth 13 për qind  e qytetarëve të cilët mendojnë se kjo Marrëveshje do të jetë e suksesshme”, tha Krasniqi.

Ndërsa, sa i përket përkatësisë etnike 60 për qind e të anketuarve nga komuniteti serb besojnë se kjo Marrëveshje nuk do të jetë e suksesshme, ndërsa te shqiptarët kështu mendojnë 58 për qind dhe 50 për qind e qytetarëve të komuniteteve të tjera.

Krasniqi më tej shtoi se 48 për qind e qytetarëve të Kosovës besojnë se strukturat paralele serbe nuk janë shuar, ndërsa vetëm 4 për qind besojnë se këto struktura janë shuar.

“Sa i përket shuarjes së strukturave paralele ka rezultuar se nga 48% e qytetarëve në tërë territorin e Kosovës vlerësojnë se strukturat serbe nuk janë shuar ende, janë 29.7 për qind që thonë se disa prej tyre janë shuar dhe vetëm 4.2 për qind besojnë se strukturat paralele janë shuar plotësisht”, tregoi ajo.

Gjysma e qytetarëve të Kosovës, sipas përfaqësueses së KDI-së, vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka ndikuar në shtrirjen e sovranitetit të Kosovës.

“51 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se dialogu nuk ka ndikuar që shteti i Kosovës të shtrijë sovranitetin e vet në veri, 37.6 për qind vlerësojnë që falë dialogut shteti i Kosovës ka arritur të shtrijë sovranitetin vetëm në disa fusha, ndërsa janë vetëm 4.2 për qind e qytetarëve që besojnë se dialogu ka ndikuar në shtrirjen e plotë të sovranitetit të shtetit të Kosovës në veri të vendit”, tha Jeta Krasniqi.

Sipas të njëjtit hulumtim, gati gjysma e qytetarëve besojnë se Asociacioni i Komunave Serbe vetëm sa do të përkeqësojë raportet ndëretnike, kurse vetëm 5.2 për qind e tyre vlerësojnë se do t’i përmirësojë këto raporte.

“Janë 46 për qind e qytetarëve që besojnë se Asociacioni do të keqësojë raportet ndëretnike, 30.8 për qind vlerësojnë se raportet do të mbesin të njëjta, ndërsa vetëm 5.2 për qind besojnë se do t’i përmirësojë”, tha Krasniqi.

Instituti Demokratik i Kosovës dha edhe rekomandimet e tij në raport me dialogun e Brukselit.

KDI tha se është shumë e nevojshme që Marrëveshja e Drejtësisë të bëhet publike, veçanërisht për qytetarët që preken nga ajo. Po ashtu, organizata rekomandoi që procesi i zbatimit të saj të jetë transparent.

Organizata joqeveritare rekomandoi edhe ndërmarrjen e hapave të shtuar për shuarjen e strukturave paralele serbe, si dhe për shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e vendit.

Sipas KDI-së, është koha e fundit që institucionet të jenë transparente për vendimet që marrin sepse mungesa e transparencës po i lë qytetarët të painformuar për përmbajtjen e marrëveshjeve.

Sondazhi është kryer nga 3 deri me 12 mars të këtij viti dhe janë anketuar 1,065 qytetarë të Kosovës në tërë territorin dhe të të gjitha komuniteteve.

Mungesa e transparencës në dialogun e Brukselit është diskutuar edhe në tryezat e organizuara nga OJQ “New social initiatives” së bashku me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN.

http://kallxo.com/debati-cfare-eshte-folur-ne-bruksel-ka-mbetur-atje/