Gjykimi i ish-punonjësve të bankës | Foto: KALLXO.com

Ish-Punëtorët e Akuzuar: Nuk Përvetësuam Asnjë Cent nga Banka

Në gjykimin e pesë ish-punonjësve të Bankës “NLB”, tre prej tyre gjatë marrjes në pyetje në gjykatë mohuan se kanë marrë para në mënyrë të jashtëligjshme.

Gjatës seancës u morën në pyetje Maliq Behluli, Besnik Delijaj dhe Miradije Morina që bashkë me Burim Ademajn e Ilir Kryeziun akuzohen për përvetësimin e shumave të mëdha të parave nga klientë të kësaj banke.

I akuzuari Maliq Behluli tha se prej vitit 2006 deri në vitin 2009 kishte punuar si arkatar në NLB, por mohoi se ka përvetësuar 22 mijë euro të së dëmtuarës Nazlije Gashi, për të cilat akuzohet.

Behluli tregoi në gjykatë se i akuzuari tjetër Ilr Kryeziu kishte shkuar te ai me kartelë të klientes dhe kishte tërhequr këto para, derisa e dëmtuara, sipas të akuzuarit, ndodhej në zyrën e drejtorit.

“Nazlije Gashi ka qenë në zyrë të drejtorit Burim Ademi, Ilir Kryeziu ka ardhur tek unë me kartelë të kësaj klientes dhe i ka tërhequr 22 mijë euro” tha Behluli.

Në lidhje me qëndrimin e klientes në zyrë të drejtorit tha se kjo ka qenë strategji e bankës në rast të tërheqjeve të shumave të mëdha për shkak të sigurisë.

“Politikë e bankës ka qenë që shumat e mëdha të parave, tërheqjet apo deponimet të biznesmenëve apo të personave të tjerë të bëhen në vende të mbyllura, gjegjësisht në zyrën e drejtorit për mos me i pa njerëzit që po i marrin apo deponojnë njëzet mijë euro etj”, sqaroi i akuzuari.

Por Behluli tha se në raste të tilla në fletëtërheqje pranonte nënshkrimin e klientit, e në këtë rast tha se mungonte ky nënshkrim.

“Për këtë rast nuk më është kthyer fletëtërheqja me nënshkrim, a ka dalë Ilir Kryeziu, a ka shkuar. nuk e di se si është puna. Unë e kam shkruar Iliri në transaksion të tërheqjes”, tha Maliq Behluli.

Ai pretendimin për pafajësi e ilustroi me faktin se në vitin 2009 kishte dhënë dorëheqje dhe nuk i kishte dalë ndonjë problem me bankën.

“Unë në mars të vitit 2009 jam barazuar, aty kanë qenë edhe auditorët e NLB-së, dy vjet para se të ndodhë kjo unë jam barazuar pasi që kam dhënë dorëheqje dhe atëherë po të mos isha në rregull nuk do të më kishin lëshuar”, tha për fund i akuzuari Maliq Behluli.

I akuzuari tjetër Besnik Delijaj kur u pyet nga përfaqësuesi i bankës “NLB”, Visar Morina në lidhje me shumat prej dy mijë dhe dhjetë mijë eurove të cilat akuzohet se i ka përvetësuar, e mohoi një gjë të tillë.

Delijaj akuzohet se përvetësoi këto para të klientëve të cilat ata i deponuan në bankë, ndërsa më pas, sipas prokurorisë, ai anuloi këto transaksione.

“Lidhur me dy transaksione tjera- shuma dy mijë euro dhe dhjetëmijë euro, klientët kanë ardhur në bankë dhe kanë pasur dëshmi që mjetet i kanë deponuar në bankë, ne kemi hyrë në sistem dhe e kemi parë se këto mjete më vonë janë deponuar, e pastaj stonuar, anuluar transaksioni”, tha përfaqësuesi i palës së dëmtuar Visar Morina.

“S’po më kujtohet, nuk jam në dijeni, por klienti ka mundur të i deponojë edhe në degë të tjera- ajo është e drejtë e tij. Deponimin mund ta kryejë çdokush në emër të ndonjë klienti, e ndjej veten plotësisht të pafajshëm, nuk kam përfituar absolutisht asnjë cent”, deklaroi Besnik Delijaj.

Përvetësimin e mjeteve e mohoi edhe Miradije Morina. Prokuroria pretendon se nëpërmjet user-it të saj u tërhoqën 163 mijë e 273 euro.

Morina tha se tërheqjet i ka bërë me kërkesë të drejtorit Burim Ademaj, ndërsa tregoi se fjalëkalimin e saj e kanë ditur edhe Ademaj dhe Ilir Kryeziu.

“Unë kam qenë duke punuar në sportel, drejtori ka ardhur me numër të llogarisë së shkruar të klientit më ka urdhëruar se klienti dëshiron ta tërheqë këtë shumë më ka shënuar shumën sipas klientëve, këto para drejtori Burim ka ardhë dhe i ka marrë. Brenda janë nënshkruar klientët, më pas urdhëresat i ka kthyer drejtori për shumat e mjeteve që janë tërhequr”, tha ajo.

Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli, e Besnik Delijaj akuzohen nga prokuroria se në vazhdimësi kanë shpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke përvetësuar kështu shuma të mëdha të parave nga klientë të ndryshëm që kanë deponuar-afatizuar para me kontratë në Bankën NLB me seli në Suharekë.

Pjesë e kësaj aktakuze tashmë është edhe Miradije Morina pasi që prokuroria ka bërë ri-cilësimin e aktakuzës, ajo gjithashtu akuzohet për veprën penale në vazhdimësi përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Kurse të akuzuarit Burim Ademaj e Ilir Kryeziu gjatë seancave të kaluara kanë deklaruar se duan të hyjnë me prokurorinë në negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë.