Një ish i burgosur në spitalin Kostana ku luftëtarët kroatë të Bosnjës burgosën boshnjakë. Foto: BIRN.

Ish-Paqeruajtësi i OKB-së: Kroacia të Ekstradojë të Dyshuarit për Krime Lufte

Patrick Hector Gullan, një ish-anëtar britanik i forcave paqeruajtëse të OKB-së, i cili ishte vendosur në qytetin boshnjak të Stolacit menjëherë pas luftës, i ka dërguar një letër të hapur presidentes së Kroacisë, kryeministrit dhe kryeprokurorit të Kroacisë, duke bërë thirrje që kroatët e dyshuar për krime lufte në Mostar, Stolac dhe Capljina të ekstradohen në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në letër – të cilën ua dërgoi edhe Qeverisë së Bosnjës dhe asaj të ShBA-së, si dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian – Gullan tha se ish-luftëtarët kroatë të Bosnjës Ivan Anciq dhe Vid Palameta, të cilët akuzohen për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, si edhe tre të dyshuar të tjerë, jetojnë në Kroaci.

Gullan, i cili u nderua në Britani për rolin e tij në luftën në Bosnje, tha se ai vendosi ta shkruante letrën pasi apelimet e fundit kundër vendimit të Gjykatës së Hagës për dënimin e gjashtë ish-zyrtarëve të lartë nga shteti i panjohur kroat i kohës së luftës, Herceg-Bosnja, e kujtuan atë për “tmerrin e madh dhe shkallën e asaj që ndodhi në zonat e dominuara nga kroatët e Bosnjës nga mesi i vitit 1993 deri në mesin e vitit 1994″.

Ai tha se personat e dyshuar si përgjegjës për “krimet e tmerrshme të ekzekutuara në kërkim të krijimit të shtetit të vogël të Herceg-Bosnjës”, përfshirë spastrimin etnik, shkatërrimin e Stolacit dhe “brutalitetin e ushtruar mbi boshnjakët” që mbaheshin të burgosur në kampin e burgimit Dretelj dhe spitalin Kostana, duhet të nxirreshin në gjyq.

Ai u bëri thirrje autoriteteve në Kroaci, në interes të drejtësisë dhe në emër të viktimave të kampit, të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj ekstradimit në rastet e krimeve të luftës dhe të transferojnë Anciqin dhe Palametën në Sarajevë.

Ai u shpreh se kjo mund të shihej si “një nismë pozitive nga ana e Kroacisë për të rritur drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin”.

Gullan për shumë vite me radhë ka bërë thirrje që kriminelët kroatë të Bosnjës të sillen para drejtësisë. Në vitin 2001 ai drejtoi një hetim për kanosjen e boshnjakëve të zhvendosur nga lufta, të cilët po përpiqeshin të ktheheshin në Stolac.

Raporti bëri thirrje për arrestimin e 22 personave për dhunë dhe kanosje të pasluftës dhe për spastrimin etnik të boshnjakëve gjatë konfliktit të viteve 1992-1995.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia nuk i ekstradojnë qytetarët që akuzohen për krime lufte, por zyrat e prokurorive në të dy vendet kanë një protokoll bashkëpunimi që lejon transferimin e çështjeve.

Në janar të vitit 2014, prokuroria shtetërore e Bosnjës ngriti një padi kundër Ivan Anciq për krime lufte në zonën e Capljinës, por ai nuk mori pjesë në një seancë dëgjimore në shtator të të njëjtit vit. Ai jeton në Split në Kroaci.

Prokuroria boshnjake ngriti një padi kundër Vid Palametës në maj 2014 për krime të kryera në kampin e Dreteljit. Palameta, i cili jeton gjithashtu në Kroaci, nuk mori pjesë në seancën dëgjimore në janar të vitit 2015.

Gjashtë zyrtarët politikë dhe ushtarakë të Herceg-Bosnjës – Jadranko Prliq, Milivoj Petkoviq, Slobodan Praljak, Valentin Coriq, Bruno Stojiq dhe Berislav Pusiq – fillimisht u dënuan me një total prej 111 vitesh burg në vitin 2013.

Në mars të këtij viti vendimet u apeluan. Prokurorët e OKB-së kërkuan dënime më të ashpra, ndërsa mbrojtja pretendoi se nuk kishte asnjë sipërmarrje të përbashkët kriminale me qëllim krijimin e një “Kroacie të madhe” dhe se të gjashtë duhet të liroheshin nga akuzat.

Vendimi përfundimtar pritet më vonë këtë vit.