Ilustrim, Arrestimi i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Inspektorati Policor Arreston një Zyrtar të Policisë

Pas një hetimi disamujor, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot një të dyshuar (zyrtar i stafit civil të Policisë së Kosovës) nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale – keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe mashtrim.

IPK njofton se kishte pranuar informacione në lidhje me dyshimet për përfshirje në veprimtari penale të të dyshuarit B.B., zyrtar i stafit civil në stacionin policor të Drenasit, Drejtoria Rajonale e Prishtinës.

Me autorizim të prokurorit, hetuesit e IPK-së kanë filluar hetimin ndaj këtij zyrtari duke ndërmarrë edhe disa veprime hetimore të cilat rezultuan me arrestimin e të dyshuarit.

Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore, njofton Inspektorati Policor.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e këtij zyrtari.