Shtyhet Gjykimi, Njëri Dëshmitar në Kazakistan e Tjetri në Brazil (TV)

Policia e Kamenicës nuk e kishte ekzekutuar urdhëresën e as njoftuar gjykatën për mos zbatim. Pas kësaj Gjykata e ka përsëritur urdhëresën që policia t’i sjellë dëshmitarët me dhunë të nesërmen, në seancën e 2 korrikut.

Këtë herë policia njofton gjykatën se urdhëresa nuk ka mundur të ekzekutohet, sepse dëshmitari Nebi Shillova, sipas deklaratës së familjarëve të tij gjendet në Kazakistan, ndërsa për dëshmitarin tjetër, Meriton Ramabaja, prindërit kishin deklaruar për policinë se ai gjendet në Brazil për studime.

Për shkak të mungesës së dëshmitarëve, seanca nuk u mbajt.

Tridhjetëvjeçari, Agdi Krasniqi akuzohet se e ka privuar nga jeta Gzim Demirin me 16 korrik 2012, në lagjen Qameria në Kamenicë.

Sipas aktakuzës, Agdi Krasniqi e kishte goditur tani të ndjerin Gzim Demiri,  dy here me thikë në zemër dhe mushkëri, duke i shkaktuar plagë therëse dhe shpuese, si  dhe tetë plagë në regjionin e shpatullës së majtë.

Nga plagët e marra Demiri kishte ndërruar jetë të njëjtën ditë në emergjencën e spitalit të Gjilanit.

Gjykata me një shkrese do t’u drejtohet familjarëve të dëshmitarëve Nebi Shillova dhe Meriton Ramabaja për të mësuar se kur do të kthehen dëshmitarët nga Kazakistani, përkatësisht Brazili .

Seanca  e radhës do të mbahet me datë 23 shtator 2013, ndërsa gjykata e përsëriti urdhëresën për sjellje të dhunshme të këtyre dëshmitarëve në këtë seancë.