Shkencëtari Që Po Bëhet i Dëgjuar

Mentor Sopjani ka hequr të zitë e ullirit e të shumëçkaje tjetër, si shqiptarët e kësaj ane, duke u edukuar, por sot karriera e tij ka një rrugë më të shtruar pasi punimi për veshin i është publikuar nga revista të ndryshme shkencore. Zbulimi i Sopjanit dhe bashkautorëve e bën veshin më të mbrojtur nga traumat akustike. Dhe ndoshta mund të jetë model për të gjithë ata kosovarë që kërkojnë sukses në shkencën e sotme.

I lindur në Harilaq, një fshat afër Fushë Kosovës, Sopjani (34) kishte mbaruar studimet e doktoraturës dy vjet më parë Universitetin e Tubingenit, Gjermani, që në vitin 2011 ishte radhitur i 152-ti në rang listën e universiteteve botërore. Ai ligjëron në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës si asistentit për lëndët biologji me gjenetikë, biologji molekulare dhe biologji qelizore. Jeton me gruan dhe vajzën e tij po në Prishtinë.

Sopjani ka të botuara dy libra, edicione ndërkombëtare në gjuhën angleze, në lidhje me fushat e studimit të tij dhe rreth 40-të publikime shkencore. Thotë se është cituar rreth 350 herë.

Nëse dëshiron të bësh shkencë sot, përveç ambientit, përparësi është edhe puna në ekip dhe sidomos nëse arrin të publikosh në revista shkencore ku puna bëhet objekt i shqyrtimit të shkencëtarëve tjerë.  

Më 2010, Sopjani së bashku me disa kolegë ndërkombëtarë zbuluan funksionet e një proteine që i mbron veshët nga shurdhimi si pasojë e traumave akustike. Psh. Nga zhurmat në kafene, gjatë ndezjes së fishekzjarrëve, në disko, në vend të punës etj. Për më shumë, ky zbulim ndihmon që veshi të jetë më i mbrojtur.

“Studimi zbulon për herë të parë se proteina AMPK (ang.activated protein kinase; shq. proteinë kinaza e aktivizuar nga AMP-ja, Adenozin monofosfati), e cila është e njohur që mbron qelizat gjatë mungesave të energjisë, aktivizon një proteinë tjetër kanalore (kanal qelizor-BK kanali i kaliumit) në membranën qelizore duke lejuar jonet e kaliumit të dalin nga qeliza”, thotë Sopjani. “Ne kemi demonstruar se ky mekanizëm ndihmon për mbrojtjen e qelizave senzore (ndijore) në veshin e brendshëm nga dëmtimi i përhershëm dhe ndihmon për të mbajtur dëgjim të mirë, pas ekspozimit të zhurmës akustike”.

Sopjani dhe njëmbëdhjetë shkencëtarët tjerë të huaj e testuan teorinë e tyre në dy grupe të minjve laboratorikë. Në njërin grup ishin minjtë normalë (të egër) ndërsa në tjetrin minjve u mungonte proteina AMPK. Dëgjimi i minjve u testua duke matur aktivitetin e tyre trunor të nxitur nga tingulli dhe të gjithë i qenë ekspozuar zhurmës së mirë-përcaktuar e cila iu ka shkaktuar traumë akustike duke çuar në dëmtimin e të dëgjuarit të tyre.

Para ekspozimit të zhurmës, tregon Sopjani, aftësia për të dëgjuar ishte e ngjashme te minjtë normalë dhe minjtë me mungesë AMPK-je. Megjithatë, përderisa te minjtë normalë dëgjimi është kthyer në një masë të madhe pas 7 ditësh, rigjenerimi i dëgjimit te minjtë me AMPK-deficitare në masë të ndjeshme kishte mbetur ndjeshëm i dëmtuar.

“Trauma akustike është një problem i zakonshëm”, thotë Sopjani. “Edhe pse dëmtimi i dëgjimit mund të jetë dramatik menjëherë pas ekspozimit të zhurmës, zakonisht dëgjimi, edhe pse jo gjithmonë, rimëkëmbet ose rikthehet pas një kohe. Studimi ynë ka zbuluar një arsye të mundshme për rimëkëmbjen jo të plotë nga trauma akustike”.

Dr.sc. Sopjani thotë se humbja e dëgjimit është ndër çrregullimet më të shpeshta dhe se është e lidhur me humbje të rënda të cilësisë së jetës. Zbulimi u botua në revistën The FASEB Journal (Jounral of the Federation of American Societes for Experimental Biology), në SHBA.

“Hulumtimet e ardhshme, të bazuara në këtë studim, mund të çojnë në zhvillimin e strategjive të reja për parandalimin ose në përshpejtimin e shërimit të humbjes së dëgjimit të shkaktuar nga zhurma”, kishte thënë Florian Lang, Ph.D., një studiues, përmes revistës FASEB.

Sopjani, megjithatë, ende duhet të pres që të marrë titullin e profesorit por edhe të ketë kushte të punës në shkencë, në UP. “Gjithandej Fakultetit të Mjekësisë dhe Qendrës Klinike Universitare, nuk ka as edhe një laborator për studime bazike shkencore”, tha Sopjani. “Buxheti i Universitetit të Prishtinës për shkencën është zero euro, ndërsa vetëm këtë vit është në vijim konkursi për pranimin e rreth 280 studentëve të doktoraturës në UP”.