Bu

Rritet papunësia dhe punësimi

Kosova e kishte nisur vitin 2016 me 115 mijë e 93 persona të papunë. Ndërsa, viti 2016 është përmbyllur me 140 mijë e 771 persona të papunë. Shprehur në numra, në fund të vitit 2016 ishin 25 mijë e 678 persona më shumë të papunë se sa që ishin në fillim të vitit (janar-mars).

Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka publikuar Anketën e Fuqisë punëtore për tremujorin e fundit të vitit 2016, njëkohësisht anketa e fundit për këtë vit. Në tremujorin e katërt, sipas ASK-së, shkalla e papunësisë ishte 28.7 përqind, apo 140 mijë e 771 persona llogaritet se janë të papunë.

NDËRLIDHUR

Kjo shifër e papunësisë është nga 41.3 për qind e popullsisë që konsiderohet se janë ekonomikisht aktivë.

“Nga popullsia në moshë pune, 58.7 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh”, thuhet në raportin e ASK-së.

Krahasuar me tremujorin e tretë (korrik-shtator) kur të papunë kanë qenë 131 mijë e 604 persona, ka rreth 9 mijë personave më shumë të papunë. Në tremujorin e dytë numri i personave të papunë ishte edhe më i vogël, apo për rreth 24 mijë persona më i ulët se sa në fund të vitit 2016. Kurse, krahasuar me fillimin e vitit 2016, kemi 25 mijë e 678 persona më shumë të papunë.

Raporti i fundit i anketës për fuqinë punëtore thotë se në tremujorin e fundit ka pasur edhe rritje të punësimit.

“Do të thotë se 71.3% (350,489) e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 29.5 %”, thuhet në raportin për tremujorin e katër të vitit 2016.

Ndërsa, në fillim të vitit, në tremujorin e parë, kanë qenë vetëm 300 mijë e 673 persona të punësuar. Në tremujorin e dytë, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) ka qenë është 27.9%, apo 328 mijë e 694 persona thuhet se kanë qenë të punësuar. Në tremujorin e tretë, sipas ASK-së, kanë qenë 347 mijë e 186 persona, apo një raport i punësimit ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 29.8 për qind. Përderisa në periudhën korrik-shtator kemi pasur një rritje të numrit të personave të punësuar për 18 mijë e 492 të punësuar krahasuar me tremujorin e dytë, në tremujorin e fundit numri i të punësuarve është rritë për vetëm 3 mijë persona.

Isa Mustafa, Shkurt 2017

Me kos

Isa Mustafa: “Prej papunësisë prej 34 për qind kemi rënë në papunësi prej 26 për qind… Jam i bindur që është edhe më pak se 26 për qind”.

Vlerësimi: Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë disa të pavërteta për çështjen e papunësisë në emisionin “Rubikon”. Fillimisht ka thënë se papunësia ka rënë në 26 % bazuar në të dhënat e ASK-së. Kjo është e vërtetë nëse i referohemi periudhës prill-qershor 2016. Por, papunësia në periudhën korrik-shtator është rritur në 27.5 për qind. Raporti për TM3 është publikuar një ditë para intervistës së kryeministrit në “Rubikon”. Pastaj ka thënë se u beson të dhënave të ASK-së, ndërsa më vonë ka deklaruar se “beson që papunësia është më pak se 26 për qind”. Pra, ai ka tentuar që të përdorë numrat e ASK-së për t’u mbrojtur nga kritikat për uljen fiktive të papunësisë, ndërsa më vonë të njëjtave nuk u është përmbajtur.

ASK-ja thotë se anketa ka pasur shtrirje në 584 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 mijë e 465 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011.

“Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Burimi: ASK

14 Prill 2017 - 19:02

Visar Prebreza 14/04/2017 - 19:02
NDËRVEPRIMI0

25,678

persona më shumë të papunë në fund të vitit 2016

Rritet papunësia dhe punësimi

by Visar Prebreza
NA NDIQNI

Send this to a friend