Prishtina I Foto: Atdhe Mulla

Ulja Fiktive e Shkallës së Papunësisë

Agjencia e Statistikave vazhdon të prodhojë numra jo-kredibilë sa i përket papunësisë dhe nivelit të punësimit në Kosovë. Në qershorin e vitit 2016, sipas ASK-së, në Kosovë kanë qenë të punësuar 328 mijë persona. Kurse, në vitin 2014, numri i personave të punësuar ka qenë 323 mijë. Pra ka vetëm 5 mijë persona më pak të punësuar në vitin 2014 se sa në vitin 2016.

Derisa, niveli i punësimit ndryshon shumë pak, ASK-ja ka raportuar për një diskrepancë të madhe për sa i përket shkallës së papunësisë. Në vitin 2014 shkalla e papunësisë ka qenë 35.5 për qind, kurse në qershorin e vitit 2016 papunësia ka rënë në 26.2 për qind. Pra, kemi një ulje të shkallës së papunësisë prej 9.3 pika të përqindjes. Por, nëse përllogaritet numrat e punësimit i bie që shkalla e punësimit në vitin 2016 është rritur për vetëm 1.6 për qind në vitin 2014.

Historiku i anketave të fuqisë punëtore që i bën ASK-ja tregon për një lëvizje të shkallës së papunësisë që nuk është në përputhje me atë të punësimit. Në të kaluarën shkalla e papunësisë është ulur apo rritur kryesisht duke lëvizur numrin e personave që nuk janë aktivë.

Agjencia e Statistikave i ka publikuar dy Anketa të Fuqisë Punëtore për vitin 2016. Njëra është për tremujorin e parë, pra përiudhën janar-mars. Kurse, Anketa tjetër është për periudhën mars-qershor. Anketat janë publikuar, të premtën, në një diferencë prej 1 orësh.

Shkalla e papunësisë në tremujorin e parë të vitit 2016, sipas ASK-së, ka qenë 27.7 për qind, apo të papunë kanë qenë 115 mijë e 93 persona.

Papunësia në tremujorin e dytë ka rënë për nga përqindja, por jo edhe për nga numri i personave të papunë. Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë ka qenë 26.2 për qind, ndërsa të papunë janë llogaritur 116 mijë e 812 mijë persona. Pra, edhe pse kemi rreth 1 mijë persona më shumë të papunë, ASK-ja thotë se shkalla e papunësisë ka rënë për rreth 1.5 pika të përqindjes.

Këto të dhëna tregojnë për një rënie të madhe të papunësisë krahasuar me vitin 2015. Të dhënat e ASK-së thonë se shkalla e papunësisë në vitin 2015 ishte 32.9 për qind, apo 145 mijë e 776 persona konsideroheshin si të papunë. Pra, ASK-ja thotë se për vetëm gjashtë muaj (janar–qershor), 30 mijë persona janë konsideruar të papunë më pak se sa në vitin 2016.

E në vitin 2014, shkalla e papunësisë ka qenë 35.5 për qind, ndërsa të papunë janë llogaritur 176 mijë e 743 persona. Pra, sipas ASK-së, për dy vjet 627 persona janë më pak të papunë.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2016, është 27.9%, apo 328 mijë e 694 persona thuhet se kanë qenë të punësuar. Kurse, në tre muajt e parë të vitit shkalla e punësimit ka qenë është 25.5% e popullsisë në moshë pune. Shprehur në numra, i bie që të punësuar kanë qenë 300 mijë e 673 persona. Pra, sipas të dhënave të ASK-së për vetëm 3 muaj në Kosovë janë punësuar 28 mijë persona. Kurse, krahasuar me vitin 2015, numri i të punësuarve është për 32 mijë më shumë. Kjo rritje e shkallës së punësimit vjen pas një rënieje prej 25 mijë personave në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014.

Agjencia e Statistikave ka vazhduar të ulë shkallën e papunësisë duke e rritur numrin e personave jo-aktivë.

Në tremujorin e parë të vitit 2016, nga popullsia në moshë pune, 64.8% nuk janë ekonomikisht aktivë. Personat joaktivë konsiderohen edhe ata që nuk janë të punësuar dhe që nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh. Shprehur në numra i bie që joaktivë në tremujorin e parë kanë qenë 764 mijë e 14 persona.

Krahasuar më vitin 2015, i bie që 31 mijë persona më shumë kanë qenë joaktivë. Rritja e kontingjentit të personave jo-aktivë ka ndikuar në uljen e shkallës së papunësisë. Në vitin 2015, në mesin e personave në moshë pune, 62.4% nuk kanë qenë ekonomikisht aktivë, apo 733 mijë e 432 persona.

Përderisa në periudhën janar-mars, ASK-ja thotë se është rritur numri i personave jo-aktivë, të kundërtën e thonë për tremujorin e dytë. Në tremujorin e dytë, ASK-ja thotë se shkalla e personave jo-aktivë ka rënë në 62.2 për qind. Shprehur në numra i bie që 32 mijë persona janë më pak në kontingjentin e personave joaktivë. Jo-aktivë konsiderohet edhe personat të cilët janë lodhur duke kërkuar punë dhe se me rastin e anketimit nuk besonin se mund të gjenin një vend pune.

“Nga 62.2% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive. Prej tyre 114,437 persona nuk kërkonin punë sepse besonin se nuk ka punë, e të cilët ndryshe klasifikohen si persona të dekurajuar që përbëjnë 9.7 % të popullsisë në moshë pune, me nivele pak me larta për femrat se sa meshkujt”, thuhet në raportin e ASK-së për tre mujorin.

Nëse e analizojmë pjesën kur ASK-ja raporton për shkallën e personave joaktivë, del se zakonisht ka lëvizur numri i personave të dekurajuar.

“Nga 64.8% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive. Prej tyre 140,678 persona nuk kërkonin punë sepse…”, thuhet në raportin e ASK-së për tremujorin e parë. “Nga 62.4% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive, 22.5% (165,700 persona) nuk kërkonin punë sepse…”, thuhet në raportin e vitit 2015. Sipas ASK-së më shumë gjasa kanë të punësohen personat e dekurajuar e që nuk kërkojnë punë, se sa ata që kërkojnë punë.

Kosova është vendi me nivelin më të lartë të popullsisë joaktive. Në Serbi, në vitin 2015, 48.4% e personave në moshë pune ishin jo-aktivë. Në Mal të zi personat joaktivë përbënin 39.4% të personave në moshë pune, kurse në Shqipëri 38.5%. Vetëm Bosnja e Hercegovina i afrohen Kosovës me nivel të joaktiviteti me 56.3 për qind.