Pensionisti Ejup Gashi, Janjevë. Foto: Kallxo.com

Pozita e Vështirë e të Moshuarve në Zhupë e Janjevë

Ejup Gashi zbret shkallët e shkatërruara në oborrin e ngushtë të shtëpisë së tij çdo mëngjes me frikën se nuk do të mund të arrijë deri në fund të tyre.

65 vjeçari nga Janjeva e Lipjanit jeton në një shtëpi të vjetër në këtë fshat bashkë me gruan.

Të dy janë të sëmurë, kanë nevoja për ilaçe të cilat kushtojnë, por ndihma sociale që marrin nuk u garanton pleqëri të qetë.

“Jetojmë me 75 euro në muaj. E barnat na kushtojnë diku 50 euro”, thotë Ejupi.

Rruga që të çon te shtëpia e Ejup Gashit, pjesëtar i komunitetit rom në këtë fshat, nuk i ngjan rrugës.

Ka vjet që nuk është vënë dorë në të, ndërsa gurët dhe copët e mëdha të betonit që kanë dalë në sipërfaqe rrezikojnë në çdo moment sigurinë e plakut i cili përveç bastunit, e ka shumë të vështirë të kalojë andej pa një përcjellës tjetër që e kap për krahu.

“Shikoni shkallët, nuk mund të eci vetë nëpër to. Ato janë ça, gati të prishen”, thotë ai

Në bregun tjetër të fshatit, Nikola Karamatiq, duhet t’i bëjë hesapet për ta mbyllur muajin me 80 euro në muaj për familjen tetë anëtarëshe.

Kroati 62 vjeçar nga Janjeva, thotë se jeton “ashtu si mundem”.

“Nuk punoj asgjë, nuk ka punë. Kam vetëm atë ndihmën sociale”, thotë ai.

Jeta për banorët e Janjevës ka marrë teposhtëzen qëkur një fabrikë e përpunimit të metaleve e cila ofronte punë për shumë banorë lokalë u mbyll.

Fabrika që gjendet në hyrje të fshatit sot qëndron e vetme, pa asnjë punëtor në të.

“Tash askush nuk interesohet për ne. Përpara ka qenë mirë jeta në Janjevë, tash nuk ka asgjë”, thotë Nikola Karamatiq.

Shumë kroatë që kanë jetuar në këtë fshat janë larguar nga aty për të kërkuar një jetë më të mirë, sidomos në Kroaci.

“Fëmijët po kërkojnë jetë më të mirë, këtu nuk mund ta gjejnë”, arsyetohet Nikola Karamatiq.

Pensionisti Nikola Karamatiq, kroat i Janjevës. Foto: Kallxo.com
Pensionisti Nikola Karamatiq, kroat i Janjevës. Foto: Kallxo.com

Larg Janjevës, një komunitet i madh boshnjak jeton në fshatrat përgjatë rrugës që malore që gjarpëron nga Prizreni drejt Brezovicës.

Disa qindra pensionistë nga komuniteti boshnjak që jetojnë në rajonin e Zhupës në komunën e Prizrenit ndajnë fatin e përbashkët me ata të komuniteteve tjera brenda komunës. Mosha e shtyrë e tyre ua bën të përbashkëta brengat për një përkujdesje më të mirë sociale.

Ata megjithatë nuk janë të kënaqur me atë që shteti u ofron me shumën e pensioneve që marrin, por edhe me përpjekjet e autoriteteve lokale për ta përmirësuar pozitën e tyre në aspektin social e shëndetësor.

Sejda Tafiloviq nga fshati Lubizhdë, vendbanimi më i madh me boshnjakë në Prizren me rreth 5,500 banorë, thotë se as vetë nuk e di se si arrin t’i kalojë ditët e muajit me ndihmën prej 75 euro në muaj që merr në emër të pensionit.

“Pensionin e shpenzoj më së shumti në barna dhe mjekë. Po të mos ishin fëmijët me të cilët jetoj, nuk e di si do të dilja në fund të muajit. Nuk kam dëgjuar që komuna të ketë bërë diçka për ne pensionistët. Më së keqi bëhet kur shkojmë te mjeku dhe shumë nga ta na udhëzojnë të shkojmë në ordinanca private sepse aparaturat në spitale apo qendra të mjekësisë familjare nuk punojnë. Kështu më shkojnë shumica e parave ndërsa përgjegjësit nuk ndërmarrin asgjë për këtë çështje”, thotë Tafiloviq.

Edhe në Zhupë, aty ku jetojnë dhjetëra mijëra boshnjakë, situata është pothuaj e njëjtë.

Shaban Rama është pensionist që nga viti 1994 ndërsa për çdo muaj merr 158 euro.

“Si mund të mbijetoj me ato para kurse kam paguar për 45 vjet sigurim pensional. Vetëm një ilaç më kushton 15 euro. Për ata që marrin vendime sikur të mos kishim ekzistuar, nuk po bëjnë asgjë për ta përmirësuar gjendjen tonë”, thotë Rama.

Ai ankohet se pensionistët nuk kanë një qendër ku do të mund ta kalonin ditën.

“Për më keq, ne paguajmë të gjitha shërbimet mjekësore’, thotë ai.

Edhe fqinji i tij, Qeman Bajrami, ndan brengë të njëjtë dhe frikë për të ardhmen e pensionistëve.

Por është më me fat se shumë të tjerë.

“Komuna nuk brengoset aspak për ne pensionistët. Fati im që e kam edhe një pension nga Gjermania kështu që jam në një pozitë më të mirë se ata që kanë punuar në Kosovë. Kur shkojmë te mjeku, i paguajmë të gjitha- nga kontrollat deri te operacioni. Për ne pensionistët nuk ka kurrfarë lirimi në çmime, gjë që nuk ndodh në shtetet tjera”, tha Bajrami.

Ndërsa në fshatin Reçan, i cili pretendon të bëhet selia e komunës së parë me shumicë boshnjake në Kosovë në një të ardhme, Raim Asllani ka pesë vjet që nuk mundet ta marrë pensionin e plotë.

“Tani i marr 75 euro pension edhe pse kam gati 34 vjet përvojë pune. Jam ankuar për këtë në Prizren por ata më kanë thënë të shkoj në Prishtinë. Po më thonë që nuk kam punuar 15 vjet në Kosovë, sepse për 14 vjet kam punuar në Maqedoni. Në Shkup më thonë se kanë nënshkruar një marrëveshje me Kosovën për çështjen e pensioneve por në Prishtinë thonë se kjo nuk është ashtu. As qeveria, as komuna nuk interesohen për ne”, thotë Asllani.

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e një projekti të bashkëpunimit të gazetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës, i mbështetur nga Zyra e Përfaqësueses Speciale të Bashkimit Europian (PSBE) në Kosovë, i cili është implementuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Zyra e Kosovës.