Foto: Ilustrim

Arrestohen dy të mitur për tentimvrasje me sëpatë në Janjevë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për një vrasje në tentativë me sëpatë që ka ndodhur më 6 janar në Janjevë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për KALLXO.com se dy personat e arrestuar janë të mitur, njëri i moshës 16 vjeçare (K.P) e tjetri i moshës 14 vjeçare (Sh.P).

Dje, të dy janë intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe zyrtarit të qendrës për punë sociale dhe me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 24 orë për procedim të mëtejmë nën dyshimet për vrasje në tentativë.

Më 6 janar rreth orës 20:00, ishte raportuar se në rrugën “Dardania” në Janjevë, ka pasur një zënkë në mes të dy personave që ka derivuar në përleshje mes tyre.

Menjëherë pas raportimit, Policia ka filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë verimet e nevojshme operativo-hetimore në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin.

Policia njofton se rezultatet e këtyre veprimeve kanë nxjerrë në pah dyshimet se pas një mosmarrëveshje verbale i dyshuari kryesor së bashku me një të dyshuar tjetër ka sulmuar me sëpatë viktimën duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për çfarë të njëjtit i është ofruar ndihma mjekësore.