Dhuratat e Veçanta të Presidentes Jahjaga

Ministrja e Integrimeve Europiane Vlora Çitaku ka pranuar kafe dhe filxhanë dhuratë nga Devolli Princ Caffe gjatë vitit 2012. Dy dhuratat me vlerë prej 5 dhe 8 eurosh Çitaku i ka pranuar me rastin e festave të fundvitit.

Ministrja ka pranuar edhe dhurata të tjera.

Çitaku ka pranuar shampanjë “Moet” nga UNMIK-u në vlerë prej 52 eurosh dhe verë të kuqe nga Komisioni Europian dhe ambasada norvegjeze, si dhe dy gota nga ambasada amerikane.

Vlera e gjashtë dhuratave të deklaruara nga Ministria e Integrimeve është 108 euro.

Pranimi i dhuratave nga zyrtarët e lartë shtetërorë është gjë e ligjshme dhe ato duhen të deklarohen në Agjensionin Kundër Korrupsion, bazuar në Ligjin për deklarimin e pasurisë dhe dhuratave. 

“Menjëherë pas pranimit, ose pas kthimit në vend, zyrtari duhet të paraqesë dhuratën”, thuhet në paragrafin 5 të nenit 11 të këtij ligji.

Vlora Çitaku | Foto: Facebook

Gazeta ka kërkuar me sukses qasje në regjistrat e dhuratave të deklaruara për vitin 2012 nga zyrtarë të lartë.

Për vitin 2012 në Agjencionin Kundër Korrupsion, vetëm 8 institucione kanë deklaruar se kanë pranuar 46 dhurata prej të cilave 26 protokollare dhe 20 të rastit. Një vit më parë AKK-ja ka pranuar informacione për 86 dhurata nga 12 institucione.

Në mesin e institucioneve deklaruese janë Presidenca, Ministria e Integrimeve Europiane, Universiteti i Prizrenit, Fondi i Kursimeve Pensionale, Komuna e Graçanicës, Komuna e Prishtinës dhe Prokuroria Themelore.

Këtë vit në AKK është deklaruar edhe një donacion që e ka pranuar Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati” në komunën e Gjakovës.

Kjo kompani ka pranuar dy kompjuterë dhe një printer në vlerë prej 151 mijë funtash në formë të ndihmës humanitare nga organizata Rotary International.

Zyra e presidentes së Kosovës këtë vit ka deklaruar tetë dhurata, për dallim nga viti i kaluar që kishte deklaruar gjashtëmbëdhjetë të tilla.

Por Presidenca nuk ka plotësuar mirë deklaratat e dhuratave.

Nga dokumentacioni që posedon gazeta, është vërejtur se në asnjërin nga katalogët e dhuratave të kësaj zyreje nuk është treguar vlera e dhuratës, lloji i saj dhe me çfarë rasti janë pranuar ato, ashtu siç e kërkon edhe ligji për deklarimin e dhuratave.

Katalogët e Presidencës përmbajnë edhe gabime.

Në njërin prej katalogëve shkruan se është pranuar një libër dhuratë, kurse në rubrikën për të dhënat e dhënësit të dhuratës shkruan “dhjetor 90 mbaj mend”, gjithashtu nuk tregohet as arsyeja e dhënies dhe vlera e saj.

Presidentja Atfete Jahjaga | Foto: Facebook

Presidentja ka pranuar si dhuratë edhe një tepih të vogël nga ministrja e Punëve të Jashtme të Pakistanit, Hina Rabbani Khar, një shall nga kryetari i Senatit Holandez, një fanellë sportive nga futbollisti Xherdan Shaqiri, një amblemë të Postës nga kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha.

Trusti pranon më së shumti dhurata

Institucioni që mban “kurorën” për numrin më të madh të dhuratave është Fondi i Kursimeve Pensionale, me 13 dhurata të rastit. Dhuratat që ka pranuar janë katër kalendarë, dy mbajtëse për kartëvizita, pesë lapsa, dy kartolina, dy fletore, një ditar dhe një çadër. Ttë gjitha sipas të dhënave nga katalogu kanë një vlerë prej 34 eurosh.

Në vitin e kaluar Trusti pati deklaruar se ka marrë 27 dhurata.

Universiteti i Prizrenit ka marrë dhjetë dhurata të rastit, prej të cilave katër janë piktura imitim, dy stema të universiteteve, dy dekore, një set filxhanash si dhe një USB 4 GB, të gjitha këto nga universitetet.

Nga 36 komunat e Kosovës vetëm dy prej tyre komuna e Graçanicës dhe ajo e Prishtinës deklaruan se kanë marrë dhurata.

Komuna e Graçanicës ka pranuar dymbëdhjetë kalkulatorë, një kamion për transportin e produketeve bujqësore  dhe një mikrovalë nga UNMIK-u.

Edhe komuna e Prishtinës ka deklaruar tri dhurata me një vlerë prej 75 eurosh. Një simbol nga Universiteti i Prishtinës, një suvenir nga delegacioni i Bursës-Turqi dhe një kuti për vizikarta nga ambasada e SHBA-së.

Një dhuratë, ka marrë edhe Prokuroria e Pejës, pranuesi Muharrem Bajraktari me funksionin prokuror i shtetit me rastin e ditëlindjes ka pranuar nga motra 133 euro (170 Fr). Në katalog shkruan se vlera e përbashkët e dhuratave të pranuara nga i njëjti person është 1000 euro.

Në pikën pesë të nenit numër 10 të Ligjit për deklarimin, kontrollin e prejardhjen e pasurisë dhe dhuratave, thuhet se personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata monetare, ndërsa në pikën katër të të njëjtit nen e ligj, përcaktohet se zyrtari nuk mund të marrë gjatë një viti dhurata rasti në vlerë më të madhe se 500 euro.

Gazeta Jeta në Kosovë në muajin dhjetor pati shkruar për dhuratat që institucionet e Kosovës kishin pranuar në vitin 2011.

Në katalogët e institucioneve kishte autobus, kamionë, veturë, verë, kafe, mbushës telefoni, veshmbathje, piktura, vazo, mirënjohje, stilolapsa, libra, suvenire, medalje, monedha antike, pjata dekorative, shkrepëse dhe teknikë elektronike.