Ilustrim - Kuponët fiskal

ATK Toleron Bizneset që nuk Lëshojnë Kuponë Fiskalë

Administrata Tatimore e Kosovës është treguar e ngathët për të reaguar në gjobitjen e bizneseve për moslëshim të kuponëve fiskalë. Ky institucion për disa muaj nuk u është përgjigjur ankesave të një qytetareje për një biznes i cili nuk po lëshonte kuponë fiskalë në Lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Ankesat e drejtuara me datë 24.10.2016; 18.01.2017 dhe 26.01.2017.

ATK-ja u është përgjigjur thirrjeve të qytetares vetëm atëherë kur shkresa elektronike u është dërguar edhe mediave.

Kjo qytetare ka zgjedhur të mbetet anonime edhe kur ka raportuar në KALLXO.com.

Ka thënë se raportimet e saj asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga Administrata Tatimore e Kosovës. Ajo ia ka dërguar KALLXO.com të gjitha komunikimet që kishte pasur me zyrtarë të ndryshëm të Administratës Tatimore të Kosovës.

Administrata Tatimore e Kosovës është përgjigjur për KALLXO.com se biznesi në fjalë është gjobitur.

“Pas informacioneve të fundit që kemi pasur nga qytetarët se tatimpaguesi në fjalë nuk është duke lëshuar kuponë fiskalë, menjëherë kemi vizituar tatimpaguesin, ku inspektorët tatimorë kanë lëshuar gjobë mandatore në vlerë  500 euro pasi që tatimpaguesi nuk e ka lajmëruar ATK-në se arkën fiskale e ka në servis, pasi që sipas dispozitave ligjore për periudhën sa arka fiskale është në servisim tatimpaguesi duhet t’i vulosë faturat në ATK”, tha Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.

Ekipi i KALLXO.com e ka vizituar dyqanin për të cilin ka raportuar kjo qytetare. Në pikën e shitjes në “Bregun e Diellit”, nuk kishte marrë kupon fiskal, por shitësja kishte lëshuar një paragon të rregullt të shitjes.

“Arkën e kanë marrë në servisim. Po kemi shumë telashe me konsumatorët që po blejnë qoftë ve, qoftë mish, se po e lypin kuponin oj motër… e s’ki faj as ti, as askush, se tash po i mblidhni epo i çoni në ATK. Hajde mbas 1 jave, kur të na e sjellin kacën, kemi me ta leshu kuponin fiskal”, tha shitësja me 27 shkurt, gazetares së KALLXO.com, pa e ditur që ishte gazetare.

Kompania “Gekos” e cila merret me servisimin e arkave fiskale, ka pranuar që një arkë të tillë e kanë pasur në servisim.

“Biznesi të cilit ju po i referoheni është i pajisur me arkë fiskale dhe të njëjtën e ka sjellë në servisim me datë 10 shkurt… Arsyeja pse arka fiskale është ende në servis ka të bëjë me prishjen e cila merr më shumë kohë për servisim dhe është dashur të porositet edhe një pjesë nga prodhuesi. Arka fiskale e biznesit që ju pyetni do të servisohet gjatë këtyre dy ditëve”, tha për KALLXO.com Kestrin Kumnova, zëdhënës i kompanisë “Gekos”.

Ai tha se kjo pajisje sikurse çdo pajisje elektronike edhe arkat fiskale pësojnë prishje të cilat marrin më shumë kohë për servisim. Ndërsa shtoi se rastet e tilla  janë shumë të rralla dhe vonesa ndodh për arsye të prishjes së pjesës që duhet të ndërrohet nga prodhuesi në Bullgari.

Por, ankesat e qytetarëve për të njëjtën pikë të shitjes kanë qenë edhe para muajit shkurt. Disa herë është raportuar rasti në ATK në fund të vitit të kaluar.

Kjo shihet në komunikimet që qytetarja ka pasur me zyrtarë të ATK-së.

“Me datën 09.12.2016 ne e kemi lajmëruar si lagje dhe po ashtu shumë herë më parë kompaninë ‘Konsoni’ (që shet produkte të pulës) në Lagjen ‘Bregu i Diellit’”, thuhet në shkresën që është dërguar në ATK me datën 23 janar. Aty tutje ceket se kompania në fjalë gjen arsyetime të ndryshme për të refuzuar shtypjen e kuponëve fiskalë.

ATK.raportim
Pjesë e shkëputur nga shkresa e dërguar tek zyrtarët e ATK-së nga qytetarja.

Ajo ka pranuar një përgjigje nga ana e ATK-së.

“E nderuar, që të jemi më korrekt dhe konkret, lidhur me rastin në fjalë, edhe një herë ju informojmë se pas çdo informate që kemi marr nga ju e kemi trajtuar si në vijim: me datën 24.10.2016, me datën 18.01.2017 dhe me datën 26.01.2017”, thuhet në përgjigjen që Jeton Mushkolaj, ud i Drejtorit Operativ Rajonal ia ka dhënë qytetares pas disa raportimeve që ajo i ka bërë në drejtim të ATK-së.

Qytetarja i është përgjigjur Mushkolajt duke i thënë se biznesi në fjalë ka vazhduar të mos lëshojë kuponë fiskale edhe pse ATK-ja ka thënë të ketë vepruar pas raportimeve.

“Faleminderit për këtë informatë por rezultati është zero. Unë tash dola dhe e pash që njerëzit blejnë aty dhe ata (biznesi) ende nuk japin kuponë fiskale. A s’është e dyshimtë kjo? Është thjeshtë diçka që me video dhe me raportime të ndryshme e kemi dërguar tek ju dhe askush nuk po merr përgjigje”, ka shkruar kjo qytetare në një shkresë të dërguar me datën 23 shkurt tek zyrtaret e ATK-së dhe tek mediat.

Qytetarja që i ka shkruar ATK-së vazhdimisht u është drejtuar atyre për kompaninë “Konsoni”, por KALLXO.com ka gjetur se në fakt bëhet fjalë për një pikë të shitjes së kompanisë “Vekoni”, e cila i shet produktet e kompanisë “Konsoni”.

Zëdhënësi i kompanisë “Gekos” thotë se gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të vitit 2017, arka e kompanisë në fjalë nuk ka qenë me defekte. Vetëm në muajin shtator, arka e kompanisë ka qenë në kontroll të rregullt periodik.

“Pranimi është bërë me datë 07.09 2016 dhe dorëzimi është bërë me 08.09.2016. Kjo madje ka qenë kontroll periodik që bëhet çdo dy vjet. Ndërkaq tash e ka sjellë për shkak të prishjes së memories dhe e njëjta është porositur nga ana jonë tek prodhuesi”, tha Kumnova.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me pronarët e kompanisë. Fillimisht ka kontaktuar me Zef Pjetrin, pronar i kompanisë “Konsoni”, por ai nuk kishte informata nëse janë gjobitur nga ATK-ja.

“Nuk po e di që jemi dënuar, të them të drejtën nuk po e di as që janë ankuar qytetarët për arkë fiskale”, tha Zef Pjetri.

Më vonë, ai ka treguar për KALLXO.com se dyqani në fjalë është nga kompania “Vekoni”, një partner i kompanisë së tij, “Konsoni”.

Hysen Mahmuti, pronar i kompanisë “Vekoni”, pranoi që ata janë dënuar nga ana e ATK-së, por tha se dënimi nuk ka qenë për kuponë fiskalë, por për paragonë fiskalë.

“Kur kanë qenë ATK tek ne, nuk kemi qenë në rregull me paragonë fiskalë, se shitja ka harru me i shënu dhe atëherë ATK na ka dënu. Por në lidhje me arkën fiskale, ATK-ja janë të njoftuar që ne e kemi në servisim, atyre ne çdo ditë u dërgojmë kopjet e paragonave që i lëshojmë”, tha Mahmuti.

Ai nuk e pranoi që më herët ka pasur probleme të tilla dhe prishje të tilla.

“Jo, më herët s’ka ndodh dhe nuk po e di për çka janë ankuar qytetarët, në çka janë ankuar qytetarët, ne çdoherë lëshojmë kuponë fiskalë për çdo produkt”, tha ai.

Ai tha se edhe më parë qytetarëve u është lëshuar paragoni fiskal, por që qytetarët nuk e kanë pranuar.

KALLXO.com i ka vizituar edhe dy pika të tjera të kompanisë “Konsoni” që gjenden në dy lagje të Prishtinës. Në të dy pikat, pas kërkesës për kuponë fiskalë kjo kompani e ka shtypur kuponin.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi thotë se janë raportuar 320 raste nga qytetarët për çështje të arkave fiskale, qofshin për mungesë të arkës apo mos-lëshim të kuponëve fiskalë. Prej këtyre raportimeve të qytetarëve, sipas saj, janë lëshuar 180 gjoba, në vlerë prej 66 mijë e 615 euro.

Ndërsa për vitin 2016 për moslëshim të kuponëve fiskalë, sipas saj, janë lëshuar 3 mijë e 23 gjoba mandatore, në vlerë prej 699 mijë e 550 eurove.