Hejdije Rrustemi e kërkon ende të shoqin që u zhduk në vitin 1999. Foto: Eraldin Fazliu.

Gërmimi për Varrezë Masive në Prishtinë Streson Familjarët

“Kur pamë në televizor se dyshohej ekzistenca e një varri masiv në kampusin e Universitetit të Prishtinës, zemra filloi të më rrihte shpejt,” tha për BIRN Vesel Rrustemi, i biri i një personi të zhdukur nga fshati Slivovë pranë Ferizajt në Kosovë.

Kërkimi për trupa të varrosur në kampusin e Universitetit të Prishtinës filloi të mërkurën e kaluar dhe pritet të zgjasë disa ditë.

Ai filloi pasi një person që jeton aty pranë i tha autoriteteve të Kosovës se forcat serbe kishin varrosur viktima të sulmeve të tyre të viteve 1999 nën lëndinën midis Kishës Ortodokse Serbe, e cila ndodhet në kampusin e universitetit dhe Bibliotekën Kombëtare.

Babai i Vesel Rrustemit është ndër 1,666 personat mbeten ende të zhdukur nga lufta e Kosovës në vitin 1999.

Një javë pasi NATO nisi sulmet ajrore kundër Jugosllavisë, forcat serbe hynë në fshatin Slivovë dhe fermeri 73-vjeçar u arratis bashkë me familjen e tij në fshatin Petrovë.

Por pas një jave, Rrustem Rrustemi vendosi të rikthehej në fshat për t’u kujdesur për bagëtitë e tij dhe nuk u pa më kurrë i gjallë që atëherë.

Gruaja e tij, Hejdije Rrustemi, tani 85 vjeçe, tha për BIRN se kur u rikthyen në shtëpi, “në oborrin e tyre gjetën vetëm xhaketën e tij dhe një shishe ujë” dhe shtëpia e tyre ishte djegur.

“Kërkuam për trupin e tij në ato që kishin ngelur nga shtëpia e djegur, por nuk gjetëm asgjë,” tha ajo.

Pavarësisht faktit se kanë kaluar 17 vjet nga lufta, djali i tij tha se ai shpresonte ende që një ditë trupi i babait të tij do të gjendej.

“Nuk do të heqim dorë kurrë nga shpresa se do t’i gjejmë eshtrat e tij dhe do ta varrosim në mënyrë të denjë, që të dimë se ku është varri i tij,” tha Vesel Rrustemi, i cili tani ësht 57 vjeç.

Ai tha se familja e tij fillimisht besonte se babai i tij ishte gjallë dhe se po mbahej në një burg serb dhe njëherë madje kujtoi se e pa.

germimet per varreze masive

“Në vitin 2001, po punoja në një kompani ndërtimi me dy vëllezërit e mi dhe nga një distancë prej 200 metrash, pashë një burrë në një makinë që i ngjante babait tim. I bërtita menjëherë vëllezërve të mi, ‘Shikoni! Është babai ynë!’, por pastaj e pashë nga para dhe kuptova që isha gabuar,” rikujton ai me lot në sy.

Ndërkohë që gërmimet në kampusin e Universitetit të Prishtinës vazhdojnë, ai tha se do të vazhdonte të shpresonte që eshtrat e babait të tij mund të gjenden.

“Ndërkohë që presim, shpresojmë dhe lutemi që një ditë të mund ta varrosim atë dhe të varrosim edhe dhimbjen dhe ankthin që ne si familje ndiejmë çdo ditë,” tha ai.

Deri më tani, varret masive me më trupat e më shumë se 1,000 shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës janë gjetur në katër lokacione në Serbi – në një qendër stërvitore policore në Batajnicë, periferi e Beogradit, në liqenin Perucad, në qendrën policore në Petrovo Selo dhe në guroren e Rudnicës pranë qytetit te Rashkës.

Kërkimi i fundit për një varr masiv kosovar pranë qytetit jugor të Novi Pazarit në Prill – i udhëhequr nga komisioni serb dhe ai kosovar i personave të zhdukur, si edhe prokuroria serbe e krimeve të luftës dhe EULEX-i, dështoi në dhënien e ndonjë rezultati.