Fjalët e Kundërta të Partnerëve PDK-LDK

Dorëzimi i mocionit të votëbesimit të qeverisë nga partitë opozitare u bë shkas që kryetari i PDK-së Kadri Veseli para se të mbledhë Kryesinë e Kuvendit të thërrasë urgjentisht kryesinë e partisë.

Nga takimi i Kryesisë së PDK-së, kjo parti nuk dha qëndrim nëse do ta mbështesë ose jo mocionin e nisur nga opozitarët, por la të nënkuptohet se nuk e përjashton as opsionin e zgjedhjeve.

Kundërthëniet mes partnerëve të koalicionit PDK-LDK u shpërfaqën pasi u caktua seanca ku do të shqyrtohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë.

I pari i PDK-së tha se nuk është aspak i kënaqur me situatën aktuale, e Ismet Beqiri i LDK-së tha se kjo qeveri ka bërë punë të jashtëzakonshme.

“Ajo çfarë mund të them është se gjendja në Kosovë nuk është ajo e cila duhet të jetë, nuk është e gjendje e kënaqshme. As unë nuk jam i kënaqur, as qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur. Ky vend duhet me lëviz ma shumë, ne nuk e kemi luksin që t’i japim dikujt privilegj të mendojë se Kosova është e dështuar si shtet dhe se Kosova nuk mund të ecë përpara në progresin ekonomik”, tha Veseli.

“Të gjitha vlerësimet janë që Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Kosova është me zhvillimin më të madh ekonomik në rajon. Nuk mendoj që çështja e demarkacionit është pretekst, arsye e mjaftueshme për t’u shpërbë parlamenti”, tha Beqiri.

Por Veseli e Beqiri në mënyrën e tyre u pajtuan se partnerët e koalicionit janë në kontakt për të gjetur zgjidhje nga situata e krijuar.

“Ne jemi në një komunikim intensiv me partnerin e koalicionit, duke pasur parasysh pikërisht këto zhvillime të cilat i kemi. Ajo që mund të konstatojmë të gjithë bashkërisht: ka një pakënaqësi te qytetarët në mungesën e vendimmarrjes. Njerëzit duan progres”, tha Veseli.

“Ne nuk flasim për individët që i takojnë në këtë rast PDK-së, por është subjekti, partneri që në këtë rast merr qëndrime. Nëse thuhet se jemi në marrëveshje që jemi në kontakt me partnerin, atëherë mbetet çështje e kontakteve me partnerin ose mes partnerëve”, tha Beqiri.

Në fund vetë Beqiri deklaroi se megjithatë LDK nuk u frikësohet zgjedhjeve.

“Ni parti serioze asnjëherë nuk duhet me ndi veten të rrezikuar në kuptimin e asaj që duhet të shkohet në zgjedhje”, tha Beqiri.

Sot opozita dorëzoi në Kuvend nënshkrimet për mocionin e votëbesimit të qeverisë, i cili u nënshkrua edhe nga katër deputetë të PDK-së.

http://kallxo.com/opozita-shpreson-rrezimin-e-qeverise/

Në marrëveshjen e koalicionit mes PDK-së e LDK-së, njëra nga pikat ishte që këto dy parti të mos përkrahin mocione kundër njëra-tjetrës gjatë kohës sa do të qeverisin vendin.

http://kallxo.com/pdk-e-shkel-marreveshjen-e-koalicionit-ldk-ne/