Gjykata në veri | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Ende Kam Dhimbje nga Rrahjet prej Zoran Vukotiqit

Driton Ferati, njëri nga personat që tha se është rrahur prej të akuzuarit për krime Lufte Zoran Vukotiq, deklaroi në gjykatë se ende ndjen dhimbje në duar nga këto rrahje.

Ferati tregoi se u rrah nga Vukotiqi në Burgun e Smrekonicës, bashkë me të burgosur tjerë që në vitin 1999 u morën nga kolona e refugjatëve.

“Derisa ishim duke shku në tualet unë dhe një kusheri i imi Rexhep Osmani, Zorani i tha atij hajde ktu dhe e ka rrah shumë, pas kësaj ai tha kush ështe nga fshati Bare le te dalin të gjithë jashtë, mos të shkoj unë me i marrë se do të jetë me keq për ty “, tha deshmitari,

Ferati më tutje tregoi se 20 persona nga fshati Bare kishin dalë pastaj jashtë dhomave të burgut, ndërsa deklaroi se u rrahën keq nga tash i akuzuari.

“Asnjëri nga ne nuk ka mujt me shpëtu pa i marrë të paktën 70 goditje. Kur kemi hy brenda i kemi hek çorapet, i kemi lagë e i kemi qit në dore për shkak të dhimbjeve të mëdha”, tha Ferati.

Dëshmitari bëri të ditur se kur ishte në ndërrim në Burgun e Smrekonicës Vukotiqi, ndodhte që të burgosurit sapo uleshin për të ngrënë bukë ai i detyronte të ngriheshin në këmbë e të largoheshin pa e nisur ngrënien.

Dëshmitari deklaroi se Vukotiq një herë e kishte detyruar të bërtiste “Serbi deri në Tiranë”.

Dëshmitari foli edhe për përjetimet e tij dhe të tjerëve në kolonën e refugjatëve që lëvizte nga Shala e Bajgorës në drejtim të Studimes së Vushtrrisë më 2 maj 1999.

Tha se kolona ishte e gjatë 2-3 kilometra, ndërsa kishte parë me sytë e tij se si forcat serbe atë ditë plagosën nj]ë fëmijë.

“Ne kemi qenë duke ecur në kolonë, ndërsa në mbrëmje forca të ushtrisë serbe kanë ardhë na kanë rrethu dhe kanë fillu me gjujt në drejtim të kolonës. Një fëmijë që ka qenë afër mejë e kam parë kur është plagosur në këmbë dhe familja e tij ështe detyru me ia lidh këmbën dhe me vazhdu rrugën”, tha dëshmitari.

Ai rrëfeu se kishte dëgjuar bisedat e pjesëtarëve të forcave serbe në radio-lidhje, nëpër të cilat tha se pyesnin njëri-tjetrin se sa nga refugjatët janë të vrarë.

Ferati deklaroi se nga këto biseda nuk e kishte kuptuar numrin e të vrarëve, por kishte dëgjuar urdhrin vazhdoni, vazhdoni.

Dëshmitari tha se më vonë përsëri në radio-lidhjet e ushtarëve kishte dëgjuar një person që kishte thënë sa janë bërë, ndërsa kishte marrë përgjigjen 110.

Atëherë dëshmitari tha se kishte dëgjuar t’u thuhet “boll është”.

Në seancën e sotme ishte paraparë të japë dëshminë e tij edhe dëshmitari  Safet Osmani, mirëpo ai nuk u paraqit në gjykatë.

Madje edhe kur i ishte dorëzuar ftesa ai kishte deklaruar se nuk do të vinte duke thënë se jam i gatshem që të japë deklaraten time kudo tjeter perveç në objektin e gjykates në veri, ngase sipas tij nuk ndihet i sigurt.

Ndërsa prokurori Flynn propozoi të dërgojë një person për të folur me dëshmitarin dhe për ta bindur që të vijë dhe gjithashtu ta njoftojë se ka masa të tjera ligjore në rast të mosparaqitjes se tij, pasi që ky dëshmitar është i rëndësishem për këtë rast.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në mes datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni i policisë në  Vushtrri në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë nga radhët e forcave serbe, mori pjesë në  sulmin ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Epërme në Studime të Poshtme.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, popullata civile në  mënyrë të qëllimshme i është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafunda, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Në  mesin e këtyre civilëve të  vrarë, plagosur dhe të trajtuar në  mënyrë johumane për të cilët i akuzuari bart përgjegjësi direkte ose në bashkëpunim me të tjerë ishin: Ekrem Mulaku, Xhavit Mulaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Ademi, një  14 vjeçar i paidentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu dhe Musa Gërxhaliu.

http://kallxo.com/shperthejne-ne-lote-deshmitaret-ne-rastin-e-vukotiqit/

http://kallxo.com/deshmitari-vukotiq-me-ka-rrahur-tri-here-ne-menyre-mizore/