Delegacioni i Kosovës në bisedimet për Marrëveshjen e Drejtësisë - Foto: ZKM

Dakordim për Zbatimin e Marrëveshjes së Drejtësisë

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se në Bruksel është arritur dakordimi për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi më 10 janar 2017.

“Bisedimet në Bruksel për këtë çështje zgjatën dy ditë dhe para pak çastesh u arrit marrëveshja për obligimet zbatuese dhe dinamikat e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas ministres për Dialog, njëherësh kryenegociatore e bisedimeve në Bruksel, Edita Tahiri, dakordimi i sotëm ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse, sipas saj, kjo Marrëveshje mundëson shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit në fushën e drejtësisë.

“Kjo Marrëveshje është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e saj sepse institucionet shtetërore të drejtësisë më 10 janar 2017, do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës”, citohet të ketë thënë ministrja Tahiri.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, zbatimi i Marrëveshjes për Drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore, që po ndodh pas shumë vitesh dhe këtë e mundësoi dialogu i Brukselit, përkatësisht Marrëveshja për Drejtësi.

Kjo marrëveshje parasheh vendosjen e një gjykate themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës.

“Kjo Marrëveshje shuan strukturat paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale. Sipas marrëveshjes për finalizimin e zbatimit më 9 dhjetor 2016 Serbia do të shfuqizojë kontratat e punës dhe do të ndalë pagat për gjyqtarët dhe prokurorët serbë të cilët do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës”, thuhet po ashtu në këtë komunikatë.

“Serbia obligohet që ta njoftojë me shkrim BE-në, më së voni deri më 9 dhjetor 2016, se ka realizuar këto obligime zbatuese. Integrimi i tyre në sistemin e Kosovës do të bëhet më 10 janar 2017”, thekson komunikata.

Delegacioni kosovar në këtë takim përveç kryesueses Edita Tahiri përbëhej edhe nga Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Tonka Berishaj, u.d. kryetare e Gjykatës së Apelit, këshilltarja dhe koordinatore e çështjes, Arjeta Rexhaj, Albert Avdiu, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe koordinator i grupit të punës për drejtësi dhe përfaqësuesi nga ambasada e Kosovës në Bruksel, Haxhi Bajraktari.