Një banderolë përkujtimore e vitit 2012 për ata që u vranë në shkëmbinjtë Koriçani. Foto: BIRN.
Bosnja Zhvarros 137 Viktima të Luftës
Instituti për Personat e Zhdukur i Bosnjës tha për BIRN se eshtrat e 137 personave, përfshirë 86 kafka, janë zhvarrosur në shkëmbinjtë Koriçani pranë Prijedorit, që ishte vendi ku u masakruan 200 civilë boshnjakë dhe kroatë në vitin 1992.
Kampione të eshtrave do të çohen në Qendrën e Identifikimit Sejkovaca në Sanski Most për analizën e ADN-së.
“Ne presim të paktën 86 identitete. Ata janë civilë boshnjakë dhe kroatë nga zona e Prijedorit,” tha zëdhënësja e Institutit për Personat e Zhdukur, Lejla Cengiq.
Sipas vendimeve gjyqësore, rreth 200 civilë nga Prijedori u vranë në shkëmbinjtë Koriçani më 21 gusht 1992.
Vendimet thanë se viktimat ishin mbajtur në kampe paraburgimi në zonën e Prijedorit para se të vriteshin nga anëtarë të skuadrës së ndërhyrjes policore nga Qendra e Sigurisë Publike në Prijedor.
Instituti për Personat e Zhdukur ka kryer zhvarrime edhe në vitet e kaluara në shkëmbinjtë Koriçani dhe ka zbuluar eshtrat e 117 personave të tjerë.
Megjithatë këto eshtra nuk ishin të të gjithë personave që u vranë pranë shkëmbinjve.
Cengiq tha gjithashtu se eshtrat e të paktën 11 viktimave u gjetën në një tjetër zhvarrim në Vlasenica muajin e kaluar.
Eshtrat do të mbahen në Qendrën Përkujtimore në Tuzlla derisa të identifikohen.
Kërkimi për eshtrat e të paktën 7,000 personave të tjerë që u zhdukën gjatë luftës së viteve 1990 vazhdon ende.
“Një kërkim në terrenin e minierës Sase në zonën e Srebrenicës po zhvillohet tani me qëllim gjurmimin e eshtrave të viktimave boshnjake që u vranë në atë zonë në vitin 1992,” tha Cengiq.