BIRN Fiton Rastin Gjyqësor Ndaj Zyrës së Kryeministrit

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Kujtim Shala, nuk përjashton mundësinë që të ketë ndërhyrje politike në trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike.

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Kujtim Shala, nuk përjashton mundësinë që të ketë ndërhyrje politike në trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike.

Në një konferencë të organizuar nga kampanja “Drejtësia dhe Qytetarët” dhe rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Shala i cili drejton edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, foli për procesin e kërkesës për qasje në dokumente dhe përgjigjen që duhet ofruar për publikun.

Ai ishte ftuar në konferencë për të folur për shembullin pozitiv të treguar nga ministria e tij pasi që i është përgjigjur një kërkese të BIRN-it për qasje në dokumente publike brenda një afati rekord

“Në rastin e kërkesës BIRN-it, unë jam marrë edhe vetë me të dhe shërbimit i është dashur disa orë kohë për të kthyer përgjigje. Në parim nuk do të duhej të kishte, por nuk e përjashtoj që nuk ka ndërhyrje politike”, tha Shala.

Kjo konferencë u mbajt për ta prezantuar Aktgjykimin e Plotfuqishem të cilin Gjykata e ka marrë në rastin e BIRN kundër Zyrës së Kryeministrit të Kosovës në të cilën gjykata ka vendosur në favor të padisë së BIRN-it. Rasti kishte të bënte me një kërkesë që BIRN e kishte bërë për të pasur qasje në shpenzimet e Kryeministrit të Kosovës dhe zëvendësve të tij, në vizitat jashtë vendit.

Në padinë tjetër të ngritur ndaj këshillit Prokurorial të Kosovës, shkalla e parë e gjykatës i ka dhënë të drejtë BIRN-it, ndërsa rasti është në procedurë ne Gjykatën e Apelit.

Drejtoresha Ekzekutive e Zyrës së BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, foli për procesin e gjatë të pritjes së rezultatit të këtyre lëndëve nëpër gjykata dhe precedentin që ka vendosur gjykata për kërkesat e mëtejme.

“Kam dëshirë ta inkurajoj çdo qytetar të Kosovës që ta marrë këtë vendim, që të mos mbesë vetëm një copë letre, dhe të shkojnë në institucione të tyre ku munden ta kontrollojnë se ku shkojnë taksat e tyre”, tha Xharra.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, inkurajoi BIRN-in që të vazhdojë me këtë rol sidomos kur është fjala për fondet publike dhe paranë publike.

“Qytetarët kanë të drejtë të shohin shpenzimet e të gjitha parave publike këto janë paratë e taksapaguesve këto janë paratë e njerëzve dhe ata kanë të drejtë të pyesin për vendimet e qeverisë dhe të kërkojnë llogari”, tha Zhbogar.

Ndërsa Zëvendës Ambasadorja e Shteteve të bashkuara të Amerikës, Jennifer Bachus, duke marrë shkas nga padia e fituar nga BIRN ndaj Zyrës së Kryeministrit tha se çdokush në shoqërinë kosovare mund të luajë një rol për ta përmirësuar jetën e qytetarëve dhe “mendoj se ky është një shembull në të cilin mendoj se ia vlen të shikohet”.

“Sektori i drejtësisë, e jo njerëzit në rrugë, jo njerëzit me gaz lotsjellës, jo njerëzit me koktej molotovi, por gjykata ka vendosur që BIRN-i ka të drejtë për qasje në këto informacione. Dhe kjo është mënyra se si duhet të funksionojë një shoqëri moderne e demokratike që bazohet në sundimin e ligjit”, tha diplomatja amerikane.

Sipas saj, kjo është mënyra se si duhet të sillet ndryshimi përmes rolit të medias, shoqërisë civile dhe gjykatave.

Furtuna Sheremeti, shefe e Zyrës Ligjore në BIRN, tha se është argumentuar përmes padisë që  informatat për shpenzimet e zyrtarëve nuk përbëjnë shkelje të privatësisë, sepse ato janë para të taksapaguesve.

Sipas Sheremetit, edhe Gjykata e ka thënë shprehimisht se pretendimi i të paditurit është i pabazuar.

“Është shumë më rëndësi për neve që këto institucione publike po nisin me i hap dyertë e tyre përmes presionit qytetar, qytetari po ndikon që me e marrë informatën që qytetari dëshiron” tha Sheremeti

Avokati i popullit Hilmi Jashari tha se qasja për dokumente publike është e drejtë e qytetarëve por ai tha se ka sfida me këtë fushë.

“Sfidat që kanë të bëjnë me mos’harmonizimin e dy ligjeve njëra është ligji për klasifikimin e dokumenteve e tjetra ligji për qasje në dokumente publike shpejt besoj do të dalim me rekomandime për Qeverinë dhe administratën publike me të cilën do të kërkojmë që para se të shqyrtohen kërkesat për qasje në dokumente publike. Kjo Administratë do të duhej qysh në start ta kenë të qartë nëse ai dokument është dokument i klasifikuar apo dokument që i lejohet qasja publike”, tha Jashari.

29 Tetor 2015 - 14:12

Paulina Nushi 29/10/2015 - 14:12
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend