Banorët e Sferkës Ankohen për Mungesë të Mjekut

Banorët thonë se që disa muaj për mungesë të mjekut që t’i kryejnë shërbimet mjekësore duhet të udhëtojnë dhjetëra kilometra.

Sefë Gashi, një i moshuar nga Sferka thotë se më së vështiri e kanë ata të sëmurë që nuk kanë makina për të udhëtuar drejt Klinës.

“E kemi të vështirë, qysh nuk pe kemi të vështirë, me autobusë kush s’ka kerre. E këtu duhet me ardhë për një injeksion me ta qit mjeku në Klinë a vjen e merr a s’vjen se që dy- tre muaj nuk ka asnjë informatë as sen e për mbi 5 mijë banorë këtu. Xhynahi i Zotit çka janë tu ba”, tha Gashi për KALLXO.com.

Edhe banori tjetër i Sferkës, Ferat Gashi, kur foli për KALLXO.com tha se që disa muaj QMF-ja e fshatit ka mbetur pa mjek.

“Veç teknikët janë këtu, s’ka mjek. Për çdo ditë vina pleq, të rinj, krejt vinë këtu s’ka mjek, s’ka kurrgjë hiç. Po duhet në Klinë, 17 kilometra duhet, s’ka kerr , s’ka sen”, thotë Ferat Gashi.

Qendra e Mjekësisë Familjare në fshatin Sferkë kryen shërbime për rreth 6,000 mijë banorë të pesë fshatrave të kësaj bashkësie territoriale.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të  Mjekësisë Familjare në Klinë, Drita Gjergji, tha për KALLXO.com se pesë mjekë familjarë mungojnë ngase kanë shkuar në specializim.

Njëri nga ta tha se është edhe mjeku i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Sferkë.

“Tash për momentin Sferka ndodhet pa mjek, është arsyeja se 5 mjekë përnjëherë na mungojnë për momentin. Tre mjekë e kanë shkëputur kontratën për arsye të tyre personale, kurse dy mjekët tjerë kanë shkuar në specializim”, thotë drejtoresha e QKMF-së.

Gjergji tha se menjëherë kanë bërë kërkesë për hapjen e konkurseve për këto pozita dhe sipas saj sapo të përfundojnë të gjitha procedurat do punësohen mjekët e rinj në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Sferkës.