Besir Bajrami | Foto: KALLXO.com

Bajrami: Kërkesa për Ekstradim nga Turqia, Nëpërkëmbje e Sistemit të Drejtësisë

Besir Bajrami, njohës i fushës së identitetit kombëtar, i ka dhënë një emër veprimit të politikës së jashtme të Turqisë, që muaj më parë kërkoi një shtetas turk që jeton në Kosovë nën akuzat se ka marrë pjesë në tentim-puçin që ndodhi atje vitin e kaluar.

Bajrami, i ftuar në Emisionin “Jeta në Kosovë”, ka komentuar arrestimin që është bërë ndaj këtij personi në tetor të këtij viti.

“Ky është një rast tipik i agresionit diplomatik kundër pavarësisë së sistemit juridik të Kosovës. Vetë kërkesa duket e pajustifikueshme përderisa fërkimet janë politike në Turqi dhe nuk kemi fakt të ndonjë krimi nga zotëriu (që është arrestuar)”, tha Bajrami.

Ai po ashtu konsideron se nuk është në interes shtetëror të Kosovës që të përmbushë të gjitha kërkesat e Turqisë.

“Interesi kombëtar duhet të bazohet në disa standarde, jo në vazalitet. Sepse është vazalitet nëse çdo kërkesë që e bën Turqia jemi gati ta plotësojmë pa marrë parasysh standardet juridike”, tha Bajrami.

Ugur Toksoy,  i lindur në rrethinën e Hatayt në Turqi, me profesion teolog, u arrestua më datë 27 tetor, ndërsa më 28 atij iu caktua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Të enjten është tërhequr kërkesa për ekstradim ndaj tij nga Prokuroria e Kosovës.

Emisioni “Jeta në Kosovë”, këtë javë u është dedikuar marrëdhënieve të Kosovës me Turqinë.

Emisionin e plotë “Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: