Prokurorja Ervehe Gashi, Foto: KALLXO.com

Tentim kontestimi i prokurores Ervehe Gashi ndaj KALLXO

Në një konferencë për media Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit – Ervehe Gashi ka lansuar akuza të pabazuara dhe shpifje në drejtim të emisionit “KallxoPernime” lidhur me emisionin “Pazaret me hetime”, të transmetuar në TV Dukagjini më datë 7 prill 2021, e që shpërfaqë gjetjet lidhur me marrjen e ryshfetit për mbylljen apo lehtësimin e një rasti penal në Prokurorinë e Prizrenit.

Deklaratat dhe akuzat e Prokurores Ervehe Gashi në drejtim të emisionit, janë presion për të penguar punën e gazetarëve, tentativë për të shmangur vëmendjen nga gjetjet e hulumtimit dhe për të hedhur mjegull mbi gjetjet e qarta të emisionit.

Prokurorja Gashi, në mënyrë të pashpresë ka tentuar të kontestoj, provat – filmimet ku Rizam Hoxha pranon paratë nga familja Hoxha (Dardan dhe Sadik) në emër të Bajram Gashit (burrit të prokurores Ervehe Gashi) për ta lehtësuar rastin ndaj tyre.

Prokurorja Ervehe Gashi në asnjë moment nuk ka mohuar takimet e burrit të saj me personat të cilat ajo ishte duke i hetuar/akuzuar, veprim ky i cili bie ndesh me Kodin e Etikës së Prokurorëve.

Prokurorja në Konferencë pretendon se rasti i saj ka qenë i suksesshëm pasi që Dardan Hoxhës i është rritur dënimi, por injoron në tërësi faktin se babai i tij, Sadik Hoxha është liruar si i pafajshëm nga Gjykata e Apelit.

Po ashtu, Prokurorja Gashi, ka konfirmuar se burri i saj Bajram Gashi dhe personi i cili shihet në video duke i marrë paratë e ryshfetit, kanë pasur raporte të mira dhe po ashtu nuk ka qenë në gjendje të arsyetojë se pse asnjëri prej rasteve si kërcënimet e pretenduara ndaj të birit të saj apo edhe shantazhet e pretenduara ndaj familjes së saj, nuk janë raportuar në polici dhe prokurori.

Prokurorja ka pretenduar në konferencë që nuk i është dhënë hapësirë asaj dhe burrit të saj për të dhënë versionin e tyre.

KALLXO sqaron se ka pasur dy takime me Bajram Gashin dhe një takim me prokuroren Ervehe Gashi ku u është kërkuar të intervistohen për këto pretendime.

Fillimisht, KALLXO më datë 20 mars 2021 ka dërguar pyetje dhe kërkesë për intervistë tek Prokurorja Ervehe Gashi, ndërsa më datë 21 KALLXO ka takuar Prokuroren Gashi e cila nuk ka pranuar të jap intervistë, por më datë 22 mars 2021 është përgjigjur me shkrim në pyetjet e dërguara e të cilat janë paraqitur në emision.

Po ashtu, KALLXO ka dërguar pyetje te Bajram Gashi burri i prokurores Ervehe Gashi më datë 2 prill 2021, pasi që paraprakisht me Bajram Gashin ishin mbajtur dy takime më datë 17 dhe 18 mars 2021, ndërsa Bajram Gashi i ka dërguar përgjigjet me shkrim më datë 5 prill 2021 dhe përgjigjet e tij janë përfshirë në emision.

Po ashtu, për të dëshmuar refuzimin e Prokurores Ervehe Gashi për t’u ballafaquar me pyetjet e parashtruara nga autori i emisionit, tregon edhe refuzimi i Prokurores Gashi për t’ju përgjigjur pyetjeve nga autori i emisionit Kreshnik Gashi, në konferencën e thirrur nga vetë Prokurorja, përkundër insistimit të gazetarit.

Në konferencë, Prokurorja nuk ka mundur të shpjegojë se pse nuk është denoncuar rasti në Polici e Prokurori në kohën kur, sipas saj, djali i saj është kërcënuar nga Dardan Gashi dhe po ashtu ka pasur shantazhime ndaj tyre.

Prokurorja Ervehe Gashi nuk ka mundur të arsyetojë se pse nuk ka përmendur të kaluarën kriminale të akuzuarit Sadik Hoxha në ankesën e saj, i cili është liruar si i pafajshëm nga Gjykata e Apelit?

Prokurorja nuk ka arritur të tregojë se pse nuk ka parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj lirimit të Sadik Hoxhës dhe nuk ka arritur të përgjigjet në pyetjet kryesore të cilat do të ndihmonin edhe më në zbardhjen e rastit.

Pretendimet e prokurores Erveh Gashi do trajtohen edhe një herë në emisionin e së hënës në ‘KallxoPernime’, ku do të ballafaqohen secili nga pretendimet e saj me gjetjet, provat dhe faktet e shpalosura në emision.

Ndërsa me qëllim të mbrojtjes së reputacionit të organizatës KALLXO, do inicioi padi për shpifje ndaj deklaratave të prokurores të dhëna sot në konferencë për media.

Po ashtu, për deklaratat e pavërteta dhe të pamatura për fabrikim e manipulim me prova KALLXO do iniciojë procedurë disiplinore ndaj prokurores tek autoriteti kompetent.

Punën e mirë të KALLXO.com për kontribut në luftimin e dukurive negative në sistemin gjyqësor të Kosovës, natën e transmetimit të emisionit, e ka vlerësuar edhe ministrja e Drejtësisë të Albulena Haxhiu.  

Gjithashtu, reagim ka pasur edhe nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore para se të paraqitet në publik hulumtimi i “Kallxo.com”-it, i publikuar mbrëmë më datën 07.04.2021, lidhur me pretendimet se janë dhënë “5 mijë euro për ta mbyllur lëndën në Prokurori””, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit.

Më poshtë gjeni vegzën e hulumtimit të KALLXO.com.