Nga seanca e asamblesë komunale të Vushtrrisë.

Asambleja e Vushtrrisë, Seancë Solemne Për ‘Epopenë e UÇK-së’

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka mbajtur sot seancë solemne për Epopenë e UÇK-së.

Përveç asambleistëve, në këtë seancë solemne ishte prezent edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri i cili tha se familja Jashari, Komandanti Legjendar i UÇK-së Adem Jashari, me sakrificën e tyre, shkruan rrëfimin më të mirë se si duhet atdheu.

“Në këtë betejë u vranë 53 anëtar të familjes Jashari, prej tyre 21 anëtar të familjes së Adem Jasharit e nga ta 10 ishin fëmijë. Kjo ishte një betejë e pabarabartë në çdo aspekt të saj: ishte e pabarabartë për nga armatimi e municioni që përdorej në këtë betejë, ndërsa ishte e pakrahasueshme për nga qëllimi që synohej të arrihej: në njërën anë një familje luftonte për të mbrojtur pragun e shtëpisë, për të rimëkëmbur dinjitetin njerëzor të një populli të tërë e në anën tjetër një ushtri e polici synonte të mbante të robëruar një familje, një popull të tërë” u shpreh Tahiri në fjalimin e tij.

Tahiri tha se “kemi për obligim që të bëjmë shtetin tonë të fuqishëm, të drejtë e prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për gjeneratat që do të vijnë pas nesh”.

“Sfidat i kemi të mëdha, ndonjëherë edhe nuk kemi qenë në lartësinë e detyrës që ka kërkuar atdheu, por Bac, sot jam i bindur më shumë se kurrë që Kosova për të cilën ju e dëshmorët dhanë jetën do të jetë vend ashtu si ju e ëndërruat: e lirë dhe sovrane ku fëmijët tanë do të rriten si gjithë fëmijët e botës”, tha Tahiri.