Arben Gashi, LDK

Arben Gashi Propozon Zgjidhje të Bllokadës

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, gjatë seancës konstituive ka propozuar zgjidhjen e bllokadës në Kuvendin e Kosovës duke zgjedhur anëtarët e kryesisë së Kuvendit të cilët ju takojnë subjekteve politike që janë pjesëmarrëse në Kuvend si dhe komuniteteve.

“Rruga e daljes sipas mendimit tim është procedimi i Kuvendit me vetëdije. Kryesia si e tillë është politike jo menaxheriale. Pra PAN e ka kryetarin dhe nënkryetarin e parë, Vetëvendosje e ka nënkryetarin e dytë, LAA nënkryetarin e tretë, komunitetet nënkryetarin” tha Gashi.

Gashi shpjegoi se nëse PAN pretendon se ka shkelje kushtetuese atëherë ata e çojnë ne Gjykatën Kushtetuese e pastaj janë limitet kohore.

“Ne jemi në situatë ku duhet të kemi zgjidhje politike dhe të kemi pasoja kushtetuese, nuk mund t’i presim pafundësisht PAN-in. Si organizim politik, kryesia e Kuvendit është përfaqësim politik dhe etnik, kryesia e Kuvendit merr vendime. Duhet të ndërtojmë precedentin e ri ose të kërkojmë zgjidhje të tjera. Kuvendi bllokohet se nuk vijnë në Kuvend as me bisedu. Statuskuoja po dëmton rëndë vendin. Që ta thejmë status-kuo-në duhen ide kreative” potencoi Gashi.

Arben Gashi u shpreh se PAN e kanë të drejtën ekskluzive ta propozojë një kandidat por nuk e ka të drejtën ekskluzive ta bllokojë Kuvendin.