Nga gjykimi i mjekëve | Foto: KALLXO.com

Apeli Vërteton Pafajësinë e Dy Mjekëve

Gjykata e Apelit ka vërtetuar pafajësinë e Kushtrim dhe Sebahate Gashit, dy mjekëve të akuzuar për keqpërdorim detyre dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike.

Gjykata e shkallës së parë kishte liruar mjekët nga të gjitha akuzat më 15 mars të këtij viti.

Lajmin për KALLXO e bëri të ditur avokati i Kushtrim Gashit, Behar Ejupi.

“Është vërtetuar pafajësia e doktor Gashit dhe bashkëshortes së tij, Sebahate Gashit. Vendimin e Apelit e kam pranuar të premten që lamë pas”, tha Ejupi.

KALLXO.com kishte shkruar për lirimin e mjekëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

http://kallxo.com/lirohen-mjeket-e-akuzuar-per-shperdorim-detyre/

Sipas aktakuzës, Kushtrim Gashi dhe Sabahate Gashi nga viti 2001 e deri më 20 maj 2015 në cilësinë e personave zyrtarë, mjekë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme në atë mënyrë që, duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë marrë barna nga lista esenciale me qëllim që të njëjtat t’ua shesin pacientëve të cilët i kanë trajtuar në ordinancën e tyre”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit pa autorizim kanë ushtruar veprimtari mjekësore në ordinancë specialistike kirurgjike-proktologjike, duke bërë ndërhyrje kirurgjike te pacientët e ndryshëm, edhe pse të njëjtit janë në marrëdhënie pune në QKUK.