Azem Syla te Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Apeli Kthen në Burg Azem Sylën

Gjykata e Apelit ka vendosur të caktojë masën prej 2 muaj paraburgim për Azem Sylën, duke rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore të 17 shtatorit që ish-deputetit të PDK-së ia caktoi masën e paraqitjes në stacion policor.

KALLXO.com ka kontaktuar me Tomë Gashin, avokati i të akuzuarit Syla, i cili e ka konfirmuar lajmin për masën prej dy muaj paraburgim ndaj klientit të tij.

Gashi, megjithatë, ka thënë se ende nuk e ka pranuar vendimin me shkrim.

Ndërkohë ende nuk është konfirmuar lajmi nëse Azem Syla është kthyer në qendrën e paraburgimit.

Në Gjykatën e Apelit ishte ankuar prokurori Danilo Ceccareli duke mos qenë i kënaqur me masën e paraqitjes në stacion policor që për Sylën e caktoi Gjykata Themelore në Prishtinë para gjashtë ditësh.

Ceccareli kishte kërkuar paraburgim për Sylën, ndërsa për kërkesën e tij KALLXO.com raportoi dje.

http://kallxo.com/prokurori-kerkon-riburgosjen-e-azem-syles/

Azem Syla u dërgua në gjykatë për caktim të masës së sigurisë një javë më parë, pasi u riarrestua nën dyshimet për tentim-ndikimi në dëshmitarë.

Por atë ditë gjyqtarja Jennifer Seal nuk ia caktoi masën e sigurisë Sylës, duke shfrytëzuar të drejtën që i jep Kodi Penal i Kosovës për vendosje për këtë çështje brenda 24 orësh.

http://kallxo.com/azem-syla-pret-vendimin-e-gjykates/

Azem Syla qëndroi në paraburgim nga koha kur u vetëdorëzua në polici më 29 prill, e deri më 25 gusht kur nga gjyqtarja Seal u lirua nga kjo masë për t’iu caktuar paraqitja në stacionin policor.

http://kallxo.com/azem-syla-lirohet-nga-paraburgimi/

Syla u riarrestua më 16 shtator me arsyetim se “ka tentim të ndikimit në njërin prej dëshmitarëve të mbrojtur”.

http://kallxo.com/arrestohet-azem-syla-tri-jave-pas-lirimit/

Ai u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet gjatë një aksioni të madh të Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës të zhvilluar më 27 prill. Dy ditë më vonë Syla u dorëzua në polici.

http://kallxo.com/aksion-gjere-policor-kerkohet-edhe-azem-syla/

Ditën kur u kërkua në shtëpi Syla, u arrestuan edhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq.

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë dhe Llapnasellë.