I Akuzuari: Vodha për ta Shlyer Borxhin

Në gjykimin kundër tre personave për vrasje në tentativë, vjedhje të rëndë, tentim-vjedhje e kallëzime të rreme, i akuzuari Pajtim Selmani tha se kreu vjedhjen për të shlyer një borxh.

“Si kam thanë edhe më herët vëllai im i ka pasur Muhametit borxh edhe kam pasur kërcënime prej tij deri që më ka detyrua me shkuar me vjedh me të edhe me ia kthyer borxhin”, tha Selmani.

Selmani detyrimin për të vjedhur e përmendi teksa paraqiti mbrojtjen e tij në gjykatë.

Ky i akuzuar pranoi veprat penale për tentim-vjedhje dhe vjedhje të rëndë, por tha se këto vepra i ka kryer me dy persona të tjerë, e jo siç thuhet në aktakuzë.

Pajtim Selmani nga prokuroria akuzohet edhe për veprën penale të përdorimit të armës.

Sipas aktakuzës,  në afërsi të fshatit Shipitullë në Komunën e Obiliqit  të akuzuarit për vjedhje kanë hasur në një patrullë të policisë që është përpjekur t’i ndalonte.

“I pandehuri i ka drejtuar armën të dëmtuarit Bedri Gashi, i cili në vetëmbrojtje kishte shtënë disa herë me revolen zyrtare në drejtim të furgonit të të pandehurve,” thuhet në aktakuzë.

Pajtim Selmani nga prokuroria akuzohet edhe për lajmërim apo kallëzim të rremë, pasi që sipas aktakuzës i pandehuri ka ofruar prova të rreme për veprat penale që janë në këtë aktakuzë.

Përveç Selmanit mbrojtjen e paraqiti edhe i akuzuari Sylejman Uka që u çudit për pranimin e fajësisë  për dy vepra penale nga Pajtim Selmani.

“Jo që e kemi bisedu, por kurrë në jetë një muhabet të tillë s’e kemi bërë, por kur kam dëgju se e ka pranuar këtë punë unë jam çuditë”, tha Uka.

Prokuroria i akuzon Pajtim Selmanin, Visar Selmanin dhe Bajram Prestreshin që gjendet në arrati se më 15 janar 2014 në fshatin Ribar të Vogël të Lipjanit kanë vjedhur një furgon të tipit “Mercedes Printer 2080”.

Në të njëjtin fshat dhe të njëjtën ditë, sipas prokurorisë, tre të akuzuarit kanë tentuar ta vjedhin edhe një furgon tjetër të llojit “VV-T3” por nuk ia kanë dalë ta bëjnë këtë ngase ky furgon nuk është ndezur.

Visar Selmani akuzohet se me dashje që ta privojë nga jeta policin Bedri Gashi, i cili kishte dalë për t’i ndalur, e ka rritur shpejtësinë e lëvizjes së veturës duke e rrezikuar jetën e tij.