Aida Dërguti

Aida Dërguti Flet për Letrën që i Dërgoi ITU-së

Aida Dërguti pas reagimit në mbledhjen e Kuvendit ndaj fjalëve të ministres Edita  Tahiri për një letër të dërguar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU), foli për të edhe me gazetarët jashtë seancës së Kuvendit.

Dërguti tha se ministrja Edita Tahiri u mundua të përfitojë nga ajo letër.

“Ministrja Edita Tahiri provoi të përfitojë nga rasti me një letër që ia kam dërguar ITU-së përveç në anglisht,” tha deputetja e “Vetëvendosjes”.

Dërguti tha se letrën e dërgoi në ITU për të kërkuar nga kjo organizatë që kodin telefoniki t’ia japë drejtpërdrejt Kosovës.

“Kërkesa ime ka të bëjë me dhënien e kodit drejtpërdrejt Kosovës, jo përmes Serbisë. Kjo ministre që diçka tjeter bisedon atje, diçka tjetër na thotë këtu, u mundua të dezinformojë,” tha Aida Dërguti.

Teksa iu përgjigj një pyetjeje të deputetit Avdyl imeri për kodin telefonik, ministrja Tahiri në mbledhjen e Kuvendit tha se një deputet i “Vetëvendosjes” me logo të Kuvendit i shkroi ITU-së që Kosovës të mos i jepet kodi.

http://kallxo.com/tahiri-nje-deputet-vv-se-kerkoi-qe-kosoves-te-mos-jepet-kodi/

Por Aida Dërguti tha se nuk e ka dërguar letrën në emër të Kuvendit

“Nuk e kam dërguar në emër të Kuvendit, por kam treguar cili është pozicioni ynë aktual,” tha Dërguti, edhe pse letra e prezantuar nga Edita Tahiri ka logon e Kuvendit dhe adresën e tij .

Në letër pasi i shpjegohet ITU-së se publikut kosovar po i fshihet ajo që ky është kod gjeografik i ndarë për Serbinë në mënyrë që ajo atë t’ia japë atë asaj që e quan  krahinë të sajën, kërkohet nga ITU-ja që “të mos përfshihet në këtë komplot”.

“Unë shpresoj dhe besoj që ITU-ja do të refuzojë të jetë pjesë e këtij komploti për të mashtruar popullin e Republikës së Kosovës,”thuhet në letrën e Dërgutit.