Deputetët e Kuvendit të Kosovës pjesëmarrës të Sesionit të Parë të Rregullt të AP të Këshillit të Evropës

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga Xhavit Haliti, kryesues dhe Aida Dërguti e Ismet Beqiri, anëtarë, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në Strasbourg të Francës, që kanë filluar me datën 21 janar dhe do të zgjasin deri më 25 janar 2019.

Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës delegacioni, përveç pjesëmarrjes në punimet e sesionit, ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare të Këshillit të Evropës, me theks të veçantë në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci dhe Komisionin për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, të AP të Këshillit të Evropës.

“Gjatë këtij sesioni janë duke u trajtuar tema të shumta si: raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve presidenciale në Gjeorgji, vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Armeni, pajtueshmërinë e Ligjit të Sheriatit me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, mundësinë e Shteteve Palë të Konventës për të Nënshkruar ¨Deklaratën e Kajros, përditësimin e udhëzimeve për të mundësuar referendume të drejta në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës” thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Poashtu në këtë njoftim bëhet e ditur se delegacioni i Kuvendit të Kosovës, është takuar me anëtarë të delegacionit të Parlamentit të Bullgarisë dhe të Suedisë në AP të Këshillit të Evropës dhe ka biseduar lidhur me mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës në çështjet që ndërlidhen me këtë organizatë.