Deputetet dënohen për gazin lotsjellës në Kuvend

Gjykata në Prishtinë i dënoi deputetet e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj Bujupi dhe Aida Dërguti, me nga 200 euro për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Në atë kohë, Kadaj Bujupi ishte deputete e AAK-së ndërsa Aida Dërguti e Vetëvendosjes.

Kadaj- Bujupi dhe Dërguti u ulën sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 në kohën kur opozita në Kosovë protestonte kundër marrëveshjes me Serbinë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Prokurorja e rastit Bukurije Gjhonbalaj i akuzon Kadaj-Bujupin dhe Dërgutin për veprën penale mbajtja në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të gazit lotsjellës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit të akuzuarat kishin pranuar fajësinë.

Gjykatësi Beqir Kalludra dy të akuzuarave u ka shqiptuar dënim me gjobë prej nga 200 euro.

Kalludra e konfirmoi për KALLXO.com se rrethana lehtësuese kishte marrë pranimin e fajësisë, kohën e kaluar nga kryerja e veprës penale, mungesën e pasojës, mjetin me të cilën është kryer vepra penalë dhe kauzën për mbrojtjen e idealit të përbashkët.