Dërguti i kundërpërgjigjet Konjufcës për ShIK-un

Aida Dërguti nga Partia Social Demokratike i ka reaguar ish-bashkëpartiakut Glauk Konjufca nga LVV, lidhur me deklaratën e tij se ajo ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK).

Dërguti tha se e ka borxh një shpjegim  por ka shtuar se nuk do ta padis Konjufcën.

“Glauk Konjufca në emisionin Interaktiv më ka apostrofuar si pjesë e ShIK dhe besoj se ja kam borxh opinionit një sqarim. Edhe pse mund ta dërgoj një padi për shpifje po unë vazhdoj të kem respekt dhe vlerësim për Glaukun dhe e kuptoj situatën në të cilën ndodhet. Nuk mohoj asnjë ditë të angazhimit tim politik dhe çfarëdo lloj veprimtarie që kam pasur”, tha ajo.

Dërguti tha se shërbimi i saj në UÇK ka qenë nderë, krenari dhe kontribut modest në përputhje me gjitha ligjet e rregulloret e luftës.

“ShIK është themeluar ka fundi i tetorit nëse nuk gaboj pas transformimit të UÇK-së dhe nuk e di nëse ka qenë Glauku ose nuk ka qenë. Unë mendoj se secili për çdo veprim të vetin duhet me marrë përgjegjësi publike dhe në këtë rast unë as nuk jam përfshirë e as nuk dua të përfshihem në këtë debat”, tha ajo.

Ditë më parë Dardan Molliqaj në seancë kishte thënë se Konjufca ishte pjesë e ShIK-ut.

“2000 – 2001 është viti kur Konjufca ka shërbyer në ShIK. Paga 150 marka rekrutimin e ka bo Fadil Lepaja, sektori në të cilin ka punu është përpunimi i të dhënave”, tha Molliqaj.

Pas kësaj, Konjufca e ka paditur Molliqajn për shpifje.

Konjufca  po ashtu ka thënë në Interaktiv të KTV-së se brenda figurave të larta të Vetëvendosjes së dikurshme, Aida Dërguti, që ka qenë nënkryetare e Vetëvendosjes, ka qenë në SHIK.

Dërguti tha se ia kanë borxh opinionit një debat dhe ballafaqim Albin Kurti dhe Dardan Molliqaj.