Foto: Facebook

VV kërkon që shteti të reagojë: 22 mijë gra e vajza viktima të dhunës në familje

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka trajtuar çështjen e injorimit institucional të strehimoreve dhe gjendjes së viktimave të dhunës familjare, me theks të veçantë te gratë dhe vajzat, të cilat, sipas saj, janë viktima konsistente.

VV kërkoi që të luftohet pabarazia e thellë në shoqërinë kosovare duke treguar statistikat dhe gjendjen reale të strehimoreve për viktimat e dhunës familjare.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se në rrafshin shoqëror kosovar kemi të bëjmë me një pushtet të burrave të korruptuar që kanë format e veta brutale të shprehjes të mentalitetit patriarkal.

Ai tha se mbi 99 për qind janë gra në strehimore dhe se aty lajmërohen vetëm ato raste kur nuk kanë rrugëdalje tjetër dhe kur dhuna tejkalon çdo masë ndaj grave dhe fëmijëve.

“Gratë dhe fëmijët që janë viktima të dhunës në familje po i nxjerrin prej shtëpisë dhe në disa raste po i dërgojnë në strehimore ndërsa burrat që kryejnë dhunë po i lënë rehat në shtëpi e kjo natyrisht ka të bëjë me çështjen e pronës. Mbi 95 për qind të pronës të luajtshme dhe të paluajtshme regjistrohen vetëm në emër të burrave. Kjo shoqëri që bën diskriminim të tillë në familje ka nevojë për ndryshime të mëdha. Përdhunuesit shteti ia jep 20 euro në burg, ndërsa viktimës shteti ja jep 5-6 euro edhe i thonë hajt shko jeto jetën me të”, ka thënë deputeti.

Ndërkaq, Nazlije Bala nga Lëvizja Vetëvendosje tregoi se që nga viti 1999 në Kosovë ekzistojnë shtatë strehimore që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje, një për fëmijët dhe një për viktimat e trafikimit me rrezikshmëri të lartë.

Bala theksoi se sipas statistikave të viktimave të dhunës në familje deri tash në Kosovë kemi afër 22 mijë viktima gra dhe vajza dhe se në kuadër të këtij numri kemi edhe raste me fatalitet.

Ajo gjithashtu tregoi që shteti i Kosovës është mbështetësi i vetëm i këtyre strehimoreve por që nga viti 2003 e deri me sot, ato po ballafaqohen me mungesë të mbështetjes financiare.

“Strehimoret subvencionohen në vlerë prej 20 mijë eurove, ku 30 për qind shkojnë në paga për stafin e strehimores ku paga minimale është 130 euro dhe nga maksimale është 160 euro. Nga janari deri në muajin mars strehimoret punojnë në baza vullnetare sepse subvencionet janë të vonshme, deri vitin e kaluar i kanë pasur 25 mijë euro dhe që nga viti i kaluar është zvogëluar shuma për 5 mijë euro”, ka thënë Bala.

Ajo gjithashtu tregoi edhe statistikat e mbledhura nëpër strehimoret që veprojnë nëpër Kosovë ku tha se strehimorja në Gjilan ka kapacitet të 15 shtretërve, por ndodh që ky kapacitet edhe tejkalohet dhe kostoja ditore e një viktime kushton 2.55 euro.

“Strehimorja në Ferizaj ka kapacitet prej gjashtë shtretërve dhe kostoja ditore është 6.39 euro. Strehimorja në Gjakovë ka kapacitet prej 16 shtretërve dhe kjo strehimore ka më së shumti viktima të strehuara, në ditën kur e kemi vizituar kanë qenë 22 viktima gra dhe fëmijë dhe kostoja ditore është vetëm 1.75 euro. Strehimorja në Prizren ka kapacitet prej dhjetë shtretërve dhe kostoja ditore është vetëm 3.83 euro. Strehimorja në Mitrovicë ka kapacitet prej pesë shtretërve dhe kostoja ditore është 7.67 euro. Në përgjithësi kostoja ditore e një viktime e cila 24 orëshin e kalon në strehimore është vetëm shtatë euro. Ndërsa, kostoja e një të burgosuri është afër 20 euro.”, përfundoi Bala.

Bala gjithashtu dha edhe rekomandimet e saj në lidhje me këtë rast, ku theksoi se strehimoret në nivel të vendit përveç certifikimit duhet edhe të institucionalizohen që shteti dhe institucionet përgjegjëse të krijojnë linja buxhetore që edhe strehimoret dhe viktimat të trajtohen në mënyrë të barabartë.